Haziri përsëritë: Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, Leposaviqi dhe 17 fshatra Serbisë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar përsëri se Serbia nuk do të njohë Kosovën shtet të pavarur pa përfituar ndonjë kompromis. Këtë propozim Haziri e kishte dhënë edhe në një intervistë për Reporteri.net.
“Këtë ofertë ne nuk mund ta bëjmë por do ta bëjë ndërmjetësuesi ndërkombëtar”, ka thënë Haziri në Rtv Dukagjini.
Nënkryetari i LDK’së ka thënë se Kosova nuk ka probleme tjera me Serbinë pos kufijve.
Ai madje vazhdon ta shohë si një zgjidhje shkëmbimin e territoreve.
“Kosova me kufijtë e 17 shkurtit nuk është e mjaftueshme për disa shqiptarë”, ka thënë ai.
Haziri ka thënë se nuk dëshiron t’i shohë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës të mbeten nën Serbi.