Helmohen 20 turistë në Vlorë, përfundojnë në spital
Rreth 20 turistë polakë janë paraqitur me shenja helmimi në spitalin e Vlorës këtë të premte. Dyshohet se janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar gjatë turit në një anije turistike. Mësohet se turistët, të moshës 14-15 vjeç kanë mbërritur mëngjesin e së premtes në Vlorë nga Shëngjini për një tur një ditor. Ata kanë thënë se kishin marrë ushqim me vete por edhe kishin konsumuar në anije. Në mbrëmje ata janë ndjerë keq dhe kanë mbërritur me dy autobusë në spital. Drejtoresha e spitalit të Vlorës, Bruna Mersini thotë se gjendja shëndetësore e të rinjve polakë që u paraqitën me shenja helmimi është nën kontroll. “Situata është për disa fëmijë 14-15 vjeç, turistë nga Polonia. Kanë udhëtuar gjithë ditën dhe nga Shkodra kanë marrë anijen për në Karaburun. Janë paraqitur me çrregullime gastrointestinale por situata është nën kontroll. Gjendja e tyre është nën kontroll. Është hetimi epidemiologjik për të përcaktuar se çfarë e ka shkaktuar situatën. Një arsye e dytë mund të ketë qenë edhe vapa dhe qëndrimi i gjatë në diell. Pa dalë analizat dhe pa u kryer hetimi nuk mund të japim një konkluzion.”, tha mjekja.Ndërkohë, doktoresha e urgjencës, Lorena Arapaj thekson se gjendja e tyre mund të jetë shkaktuar edhe nga ekzpozimi i tepërt në diell pasi ata kanë udhëtuar me anije nga Shkodra në Karaburun. Megjithatë, siç shtoi ajo, priten analizat për të përcaktuar saktë se nga çfarë është shkaktuar.“Aktualisht kemi deri në 25 dhe 7 fëmijë që janë në repartin e pediatrisë. Mund të ketë qenë ekzpozimi i tepërt në diell por edhe ndonjë ushqim që mund të kenë konsumuar gjatë rrugës. Gjithsesi presim rezultatet nga grupi i epidemiologjisë.“, theksoi doktoresha Arapaj./abcnews.al