Hijet e turpit të Prokurorit të Specializuar?! Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ
Historia e këtij shekulli, do t’i analizojë pretendimet e kota, të sajuara, krejtësisht shpifëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të një gjykate të improvizuar në Hagë, e cila, në mungesë të fakteve, tani më ka rënë në dëshpërim e në ankth! Ata, e dinë më së miri se, përse po ndodhë që, të gjitha pretendimet e tyre, kanë ngelur, në sferën e mashtrimeve, të lajthitjeve, e të përndjekjes së atyre shqiptarëve të pafajshëm të cilët, po i gjykojnë, por edhe të qytetarëve të lirë të Kosovës.
Çfarëdo njohës i së drejtës ndërkombëtare, po e ka të qartë se, kjo gjykatë është dështim i plotë i drejtësisë, është shndërruar në instrument për përndjekjen e shqiptarëve gjithnjë, sipas skenarit serb dhe aleatëve të saj, të cilët nuk janë të pakët edhe brenda shteteve të BE-së. Kjo gjykatë ndërkombëtare, është pafuqi e vetë BE-së, që të vërtetën ta mbrojë përmes të vërtetës, dhe të mos bie edhe vetë pre e shpifjeve, e projekteve dhe skenarëve të cilat e deskriditojnë demokracinë evropiane. Në një gjendje të këtillë, siç ndodh në procesin gjyqësor në Hagë, kur Prokuroria instrumentalizohet në shërbim të kërkesave të fashizmit serb dhe aleatëve të saj, fytyra e kësaj gjykate ka marrë hijen e turpit dhe të mjerimit.
Kujt i duhen arrestimet, bastisjet e mëngjesit, pa paralajmërim, të personave të pafajshëm shqiptarë, të cilat ndodhën sot? Arrestimet e personaliteteve të cilët, nga çlirimi e këndej ishin dhe janë drejtues të demokracisë, jo vetëm politike në Kosovë, kontribues aktiv në shtetndërtimin e Kosovës së lirë, për më tepër, personalitete të respektuara në shoqërinë dhe në shtetin tonë. Çfarë mendon, Zyra e Prokurorit të Specializuar se jemi ne shqiptarët e Kosovës, në atdheun, në shtetin, në vatrat e të parëve tanë? Ne çdo ditë e më tepër po e kuptojmë se, themelimi i Gjykatës së Hagës ishte bërë me kërkesën utimative të Serbisë dhe aleatit të saj, kryesor, Rusisë. Ne e dimë se, themelimi i Gjykatës së Hagës, ishte hakëmarrje serbo / ruse ndaj popullit liridashë dhe UÇK-së guximtare, e cila, i priu luftës së popullit për çlirim nga sundimi i gjatë i Serbisë. Ne, po ashtu, e kemi të qartë se, Serbia e dëshpëruar nga disfata në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, insistoi përmes aleatëve të saj në BE, jo vetëm në Parlamentin Evropian, të formohet Gjykata Speciale, sepse, Serbia u turpërua me të gjitha ato humbje.
UÇK-ja, luftoi edhe për lirinë e serbëve kosovarë
Prandaj, tani, kur Serbia po e kupton se, do ta humb betejën edhe në Gjykatën e Hagës, atëherë, aleatët e saj, pra, edhe në Zyrën e Prokurorit Special, të tmerruar nga kjo disfatë historike, po bëjnë shantazhe, presione, në vetë procesin e Gjykatës së Hagës, tek dëshmitarët, tek mbrojtësit kurse në të njëjtën kohë, po përsërisin arrestime dhe bastisje të shpifura. Metodat e presionit që po i bën, Zyra e Prokurori Special, janë krejtësisht jo demokratike, janë të dhunshme, dhe, mjerisht ju përngjajnë metodave të cilat, dikur i përdorte shteti serb kundër ne shqiptarëve. Këtë po e bëjnë për t’i thënë Serbisë se, ja , ne bëmë gjithçka, nuk lamë gur pa lëvizur, por, nuk po kemi fakte, argumente, parasëgjithash dëshmi për t’i akuzuar, fajësuar, dënuar çlirimtarët të cilët po i mbajmë në burg!
Në rastin e procesit të montuar të Gjykatës së Hagës, kundër çlirimtarëve tanë, duhet të fitojë drejtësia e cila, edhe në këto rrethana dhe çaste që po mbahet peng e skenarëve serbe, ruse dhe të aleatëve të tyre, bëjmë thirrje qytetërimit evro-perëndimor, mos të bëhet mashë e politikave ndëshkuese dhe hakmarrëse serbe.
Populli ynë, nën drejtimin e UÇK-së dhe të çlirimtarëve, të cilët po mbahen në burg, ka luftuar për vlerat më të larta të qytetërimit të sotëm, luftës për tu çliruar nga prangat e sundimit serb! A ka luftë dhe vlerë më fisnike për një popull siç është populli ynë, sesa të luftosh për vlerat më sublime: çlirimi nga sundimi, liria si histori, demokraci universale!?
UÇK-ja luftoi dhe ngadhënjeu për lirinë si kuptim universal, për të gjithë qytetarët, banorët e Kosovës, pra, edhe për çlirimin e serbëve kosovarë dhe pakicave të tjera, nga sundimi i regjimit pushtues, totalitar të Serbisë! Liria e qytetarëve të Kosovës, është vlerë e përbashkët dhe e barabartë dhe si e tillë, ajo, liria nuk ndahet mbi bazat etnike! Çlirimtarët tanë, të cilët ende po mbahen në burg, janë pikërisht ata, prijës të cilët, gjatë luftës dhe në kohë paqeje e promovuan këtë filozofi të lirisë, për të gjithë!