Hisen Berisha pritet ta zëvendësojë Uran Ismailin në pozitën e deputetit
Uran Ismaili pritet të largohet nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës, pasi të enjten është zgjedhur nënkryetar i PDK-së . Ismaili në pozitën e deputetit pritet të zëvendësohet nga gjenerali i Koshares, Hisen Berisha. Sipas burimeve të “Epokës së re” Ismaili tashmë ka vendosur ta lirojë detyrën e deputetit për tu përkushtuar më shumë për qytetarët e Prishtinës, pasi tashmë është edhe kandidat i PDK-së për kryetar të Prishtinë. Në listën e pritjes për tu bërë deputet nga radhët e PDK-së është Hisen Berisha, i cili për një numër të vogël të votave nuk kishte arritur që më 14 shkurt të fitojë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Pas zgjedhjes se Memli Krasniqit si kryetar i PDK-së është vendosur një standard i ri në lidhje me kryesinë e re të kësaj parti. Sipas këtij standardi të vendosur, nuk është e mundur të ushtrohen dy funksione në të njëjtën kohë, të deputetit dhe anëtarit të kryesisë. Nga ky standard është “amnistuar” deputeti Enver Hoxhaj, i cili është zgjedhur nënkryetar i PDK-së, pasi për disa muaj ka ushtruar detyrën e kryetarit të kësaj partie.