Historia e trishtë e 9 personave nga Studenica që përfunduan të masakruar në bunar nga serbët
Derisa fundi i muajit mars i vitit 1999 me intervenimin e NATO-s ngjalli shpresën për çlirimin e Kosovës nga ushtria serbe, prilli i po atij viti ishte i rëndë për një pjesë të vendit. Tash e 22 vjet në fshatin Studenicë e Istogut muaji prill sjell dhimbje e kujtime për nëntë persona që regjimi serb u mori jetën në mënyrën më barbare. Më 13 prill 1999 në këtë vend u vranë katër vajza, katër gra dhe një burrë. Tetë femra të familjes Lipaj dhe i moshuari Salih Zeqiraj u zunë në këtë shtëpi nga ushtria serbe, për të mos dalë gjallë nga këtu. Nëntë viktimat ishin nxjerr në oborrin e shtëpisë për tu vrarë nga afërsia. Por, sikur kjo të mos mjaftonte. Trupat e tyre u hodhën në bunarin afër, i cili më pas ishte bombarduar për tu shkatërruar e të humbin gjurmët e asaj që kishte ndodhur. Lehdian 13 vjeçare; Mirdona, 13 vjeçare; Njomëza 14 vjeçare dhe Qëndresa 15 vjeçare janë të miturat e familjes Lipaj që arritën t’i shpëtojnë barbarisë serbe. Familja Lipaj nga Kamenica ishte strehuar në shtëpinë e Salih Zeqirajt në fshatin Studenicë, për të vazhduar rrugën drejt Rozhajës së Malit të Zi. Por, jo gjithçka shkoi siç ishte planifikuar. Dy motrat, Qëndresa dhe Mirdona në ditën e 13 prillit, kur ndodhi sulmi nga ushtria serbe, ishin kthyer në shtëpinë e gjyshit për të marrë bukë e për të vazhduar rrugën drejt bjeshkës. “Ditën e 13 prillit, në mëngjesin e hershëm janë ardh dy vajzat e mia, nëna, dy vajza të djemve të axhës, gruaja e axhës dhe bashkë me të zotin e shtëpisë prej fshatit Cakutaj për me marrë bukë dhe për me vazhduar rrugën parë ku kanë qenë, me i ik rrezikut. Por, këtu kanë rënë në pritë. Kanë mendu që është UÇK-ja në këtë vend dhe nuk kanë prit fare dhe i kanë ekzekutu krejt ato që i kanë gjet brenda”, ka treguar babai i tyre, Enver Lipaj.