Historia prekëse e majorit të Ushtrisë së Kosovë: Nga fëmijë i humbur, në mbrojtës të vendit
Oficeri ushtarak i Kosovës, Dedë Hiseni, më 1998, ishte fëmijë i humbur dhe i pashpresë. Ai thotë se peripecitë e tmerrshme të luftës, e kanë shndërruar në atë që është sot. Në historinë e tij jetësore është e përfshirë edhe humanistja britanike Sally Becker.
Për Krishtlindje, Jora do të marrë dhuratën që e ka ëndërruar për shumë kohë. Dedë Hiseni nga Neci i Gjakovës bashkë me gruan Arbërien janë dorëzuar tashmë.
Ata do të pranojnë në shtëpinë e tyre një qenush për të plotësuar dëshirën e vajzës së tyre 7-vjeçare. Por kjo fo5tografi e lumtur jete për majorin 34-vjeçar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, 22 vjet më parë ishte vetëm iluzion.
Kur nisi lufta në fshatin e tij të lindjes, në vitin 1998, ai ishte vetëm 12-vjeçar. Deda dhe familja e tij panë vdekjen me sy si pasojë e bombardimeve të forcoave serbe.
Një humaniste nga Britania e Madhe, Sally Becker arriti të hynte në fshat derisa luftimet po vazhdonin. Becker i kishte dhënë vetes një mision të madh. Ajo i largonte gratë dhe fëmijët nga zonat e luftës drejt Shqipërisë.
Një gjë të tillë e kishte bërë edhe më herët. Pjesë e misionit për shpëtim nga britanikja ishte edhe Deda bashkë me nënën dhe dy motrat e tij.
Ky ishte momenti kur ata po iknin nga Kosova për t’u strehuar në Shqipëri.
“Kur jemi afëruar afër Rrasës së Zogt, jemi ndalur me pushu disa minuta, kryesisht gratë dhe fëmijët. Aty pas nja 5 minutave kanë filluar granatimet. Aty nëna imë më ka thënë: Ti duhet të vraposh teposhtë. Dhe më ka bërtitur me të madhe edhe tash e kujtoj atë moment. Aty kam menduar se do të jetë hera e fundit që do ta shoh”, tha Deda.
Ai arriti të ikte, por jo nëna dhe dy motrat e tij. Së bashku me Beckerin ato u arrestuan nga forcat serbe.
Deda kishte vazhduar rrugën i vetëm pa e ditur se çfarë kishte ndodhur me familjen e tij.
“Si duket kam qenë i ri në moshë, jamë rrëzuar diku gjatë vrapimit dhe kam humbur vetëdijen për disa minuta orë, nuk e di por e di që kur jam qu ka qenë terr. Me një vend rrugës duke ecur e kam gjetur një stilograf dhe e kam shkruar emrin tim në rroba, që kushdo që më gjen së paku të më identifikoj. Pastaj duke vazhduar rrugën jam takuar me një vajzë dhe një ushtar, në mal.. Ajo ka eqenë e fshatit tim”, tha Deda.
Deda arrin të bashkohet me babanë e tij, por ishte i pikëlluar që nuk i kishte parë motrat dhe nënën e tij.
“Kam qenë shumë i bidnur se familjarët e mijë nuk do t’i shoh më asnjëherë”, shtoi Ai.
Babai i tij ishte ushtar i UÇK-së, i cili ka bërë një plan për ta shpëtuar gruan dhe vajzat e tij.
“Një prift në atë kohë ka shkuar dhe është inskenuar si ngjarje, se nëna ime duhet të shkojë në kishë për ti ndjekur ritet fetare. Dhe ai prifti është zotu që do ta kthejë aty, gjë që ska ndodh. Ideja ka qenë ta marrin atë dhe me transportu atë deri në fshat. Ai prifti është arrestuar më pas, është malltretuar nga forcat serbe në mënyrë brutale.Ai ka qenë patër Marjani”, tha ai.
21 vjet pas përfundimit të luftës, Dedë Hiseni është një ndër 2747 ushtarët aktivë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që u shndërrua në ushtri më 4 dhjetor të 2018-së.
Rrugëtimi i tij në FSK ka nisur në kohën e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës në vitin 2005. Ai ishte njëri nga 12 kadetët e pranuar në Qendrën për Studime Universitare.
Aktualisht major Dedë Hiseni është i angazhuar në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai koordinon bashkëpunimin me SHBA-të për aktivitetet dhe trajnimet e FSK-së që realizohet përmes Zyrës së Koordinimit të Mbrojtjes së SHBA-ve.