Historiani zviceran: Kosova, vendi më demokratik në rajon

                Historiani i njohur zviceran, Oliver Jens Schmitt, e cilëson Kosovën si shtyllë të botës demokratike në rajon.Aitha se demokratizimi i shoqërisë kosovare duhet të shpjegohet dhe kuptohet më mirë në shtetet e perëndimit.“Unë mendoj se Kosova në një kohë mjaft të shkurtër është zhvilluar në një demokraci funksionale, çfarë quhet kjo? Kosova është i vetmi vend në rajon, në truallin e ish-Jugosllavisë, në të cilin një opozitë mund t’i fitojë zgjedhjet e lira dhe një qeveri, e cila ka humbur zgjedhjet e pranon edhe humbjen. Kjo paraqet edhe pjekurinë demokratike të shoqërisë kosovare, që nuk mund të gjendet as në Shqipëri, as në Serbi dhe unë mendoj se sidomos me Serbinë. Domethënë edhe shteti që është përpjekur ta shkatërronte shoqërinë kosovare në vitet 90. Ky është një sukses shumë i madh që duhet të shpjegohet dhe kuptohet më mirë në Perëndim, sidomos në ditët e sotme ku edhe Perëndimi është në luftë me Rusinë. Janë dy modele politike të ndryshme, bota demokratike dhe bota autoritare. Unë mendoj se tani Kosova me këtë pjekuri demokratike është një shtyllë e botës demokratike në rajon”, tha Schmitt, për Klan Kosova.Schmitt tha se nuk mund të shpjegohet përse Kosova ende nuk ka liberalizim të vizave, derisa Serbia e cila e rrezikon stabilitetin e rajonit e ka lirinë e lëvizjes në BE.

“Problemi i regjimit të vizave është një padrejtësi shumë e madhe, sepse nuk ka asnjë arsye të shpjegojë pse Kosova duhet të trajtohet ashtu dhe vende si Serbia që rrezikojnë edhe stabilitetin në rajon domethënë kanë lirinë e vizave. Prandaj unë mendoj se kosovarët mund të jenë shumë krenarë për sukseset dhe përparimin demokratik me të gjithë problemet që i dimë, por edhe në krahasim me rajonin, Kosova për mua pas pavarësisë dhe luftës çlirimtare është një model suksesi në rajon”, përfundoi Schmitt.