Hoti: Ai që kundërshton marrëveshjen e Washingtonit, promovon interesa ruse dhe kineze
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se marrëveshja e Washingtonit është marrëveshja politike me e rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.Sipas Hotit Qeveria Kurti me qasjen ndaj kësaj marrëveshje është duke i dëmtuar raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.“Në qeverinë e Kosovës u dorëzua studimi i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit dhe ata tash kur pyeten thonë se nuk e kanë lexuar, dhe kjo qasje e tyre është lëndim i raporteve me partnerin kryesor që e kemi, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.“Marrëveshja e Washingtonit është marrëveshja më e rëndësishme që ka nënshkruar shteti i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Ata e kanë kritikuar për të ndërtuar kauza të rrejshme, dhe tash po del që janë vërtetë kauza të rrejshme”.“Doli raporti për liqenin e Ujmanit dhe aty vendosen qartë parimet teknike për menaxhimin e ujërave ndërkombëtare që janë në territorin e dy vendeve dhe mua më kanë akuzuar për futjen e kësaj pike në marrëveshje, sepse e cenon sovranitetin e Kosovës, më thoni ju mua tani a e cenon ky studim sovranitetin e Kosovës? pra e shihni që është mashtrim tipik. Prandaj me këtë qasje këta do ta izolojnë veten por edhe vendin”, tha në Klan Kosova.Tutje Hoti tha se moszbatimi i marrëveshjes së Uashingtonit do të ishte një humbje e madhe për Kosovën në aspektin ekonomik, por edhe atë të interesave strategjike të vendit.“Mos zbatimi i kësaj marrëveshje është humbje e madhe sepse për 3 ose 4 vite mund të sjellë investime që shkojnë në rreth 1 miliard dollarë amerikanë në Kosovë në forma të ndryshme investime publike dhe private, por përtej kësaj kjo marrëveshje ka rëndësi strategjike sepse nëse e studioni me kujdes këtë marrëveshje ka elemente që e lidhin komplet regjionin me Amerikën, me perëndimin, me furnizimin e gaz, me energji, me 5G edhe çështje të tjera, pra është e rëndësisë strategjike për ruajtjen e influencës perëndimore dhe për të ndaluar influencën e Rusisë dhe Kinës”.Sipas ish- kryeministrit Hoti, kushdo që e kundërshton marrëveshjen e Washingtonit është duke i promovuar interesat Ruse e Kineze në Kosovë.“Këtë po e them për herë të parë; ai që e kundërshton marrëveshjen e Washingtonit në Kosovë, ose në cilin do prej vendeve të rajonit, sepse në Serbi e kundërshtojnë marrëveshjen e Washingtonit sepse e dinë çfarë është kjo marrëveshje, ai që e kundërshton me vetëdije ose pa vetëdije promovon interesa ruse dhe kineze në Kosovë”.