Hoti: Ballkani Perëndimor është i ndarë, por liderët kanë vullnet për të hequr pengesat
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar në video-samitin e organizuar nga Këshilli Atlantik i Uashingtonit, se rajoni i Ballkanit Perëndimor është i ndarë dhe i integruar pamjaftueshëm ekonomikisht.
Sidoqoftë, pretendon Hoti, ekziston një vullnet midis drejtuesve për të hequr pengesat infrastrukturore dhe burokratike, në mënyrë që ekonomitë të mund të bashkëpunojnë.
Hoti tha se është bërë shumë për integrimin e rajonit, por se duhet pranuar që Ballkani Perëndimor është kryesisht i ndarë kur bëhet fjalë për integrimin ekonomik.
Ai ka theksuar se ende ekzistojnë barriera burokratike dhe një numër i madh çështjesh që duhen adresuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për legjislacionin, por edhe infrastrukturën dhe barrierat e tjera teknike.
“Ne nuk kemi lidhje infrastrukturore midis kryeqyteteve tona dhe vendeve, rajoni është i ndarë. Por unë mund të them se ekziston një vullnet midis udhëheqësve në rajon që të punojnë së bashku për të hequr menjëherë barrierat dhe për t’u përfshirë në projekte të mëdha që do të lidhin kryeqytetet dhe vendet tona,” tha Hoti.
Ai tha se të njëjtat kushte që ekzistojnë midis dy vendeve që kanë një marrëveshje bilaterale duhet të jenë të mundshme për të gjithë të tjerët dhe se do të ndihmonte në heqjen e barrierave burokratike.
“Unë mendoj se kjo është mënyra e vetme që ne të plotësojmë njëra-tjetrën, sepse ekonomitë tona janë individualisht të vogla kur bëhet fjalë për tregjet. Nëse punojmë së bashku, ne mund të plotësojmë njëri-tjetrin”, tha Hoti.
Hoti nuk përmendi nismën “Mini-Shengen”, dhe gatishmërinë e Kosovës për t’u bashkuar me iniciativën, e cila u mbështet nga Shqipëria dhe Maqedonia.
Ndryshe, në samit po marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi Dragica Sekuliq, kryetari i Këshillit të Ministrave të BeH Zoran Tegeltija, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, presidenti i Maqedonisë Veriore Stevo Penderovski dhe zëvendës-presidenti ekzekutiv i Këshillit Atlantik Damon Wilson.