Hoti: Bisedova me kryeministrin e Izraelit, ambasadat do t’i hapim shumë shpejtë
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se Kosova e Izraeli do të vendosin menjëherë marrëdhënie diplomatike, pas njohjes së ndërsjellët që ndodhi sot si ‘dhuratë’ për nënshkrimin e marrëveshjeve me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë në Washington.
Hoti, në një konferencë për media tha se ka biseduar në telefon me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu, në prani të presidentit amerikan Donald Trump, ku ju njoftua njohja e Kosovës nga Izraeli.
“Sapo e kreva një telefonatë me kryeministrin Netanyahu dhe u dakorduam që ne menjëherë të vendosim marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve”, tha Hoti, shkruan Reporteri.net.
“Sa më parë Kosova do të ketë ambasadën dhe stafin diplomatik të plotë me Izraelin”, shtoi kryeministri kosovar gjatë një konferencë për media që zhvilloi në Washington pasi nënshkroi marrëveshjen për normalizim ekonomik me Serbinë.