Hoti ia propozon Kurtit 4 veprime për të dalë nga “kurthi i Serbisë”
Ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ia ka propozuar Qeverisë Kurti katër veprime për të dalë nga, siç e ka quajtur ai, “kjo kurthë e Serbisë”.Veprimi i parë që duhet të ndërmerret, sipas tij, është heqja e barrikadave në veri në bashkëpunim me KFOR’in.Pastaj ka thënë se Qeveria duhet të kërkojë “me ngulm nga BE-ja dhe SHBA-ja të bëjnë presion tek Serbia të mos pengohen dhe të mos rrezikohen qytetarët tanë që kalojnë nëpër Serbi”.Hoti ka shtuar se Qeveria duhet të tregojë gatishmëri për dialog dhe zgjidhje paqësore, si dhe të dëgjojë këshillat e miqve të Kosovës.“Ruajeni paqen fuqishëm. Tregoni gatishmëri për dialog dhe zgjidhje paqësore. Dëgjoni këshillat e miqve për veprimet që duhet ndërmarrë në kuadër të dialogut”, ka shkruar Hoti.Në fund, ka thënë se s’duhet të përmenden lufta e konfliktet.“Mos përmendni luftë e konflikte. Luftën e kemi paguar shtrenjtë, por e kemi fituar me ndihmën e miqve. Rreziku është të humbim në paqe për shkak të humbjes së mbështetjes nga miqtë tanë”, ka shkruar Hoti.