Hoti: Kosova s’ka nevojë për Guvernator e Kryeprokuror- E kemi Kurtin dhe Osmanin që japin urdhëra për ushtruesit e detyrës

                         Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar kryeministirn Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se këta të fundit janë duke ushtruar ndikim në disa institucione publike që akoma nuk kanë borde dhe kryetarë.Hoti ka përmendur rastin e zgjedhjes së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, duke shtuar se guvernatori aktual ka “pushtet” të plotë mbi BQK-në, dhe se një gjë e tillë është mesazh i keq drejt investitorëve dhe tregut financiar.“Ndoshta Kosova nuk ka nevojë të ketë Guvernator, as Kryeprokuror, as Bord të Trustit, as Drejtor të Thesarit, as Kryeshef të Agjencisë së Statistikave, as Drejtor të ATK-së. Mjafton që e ka kryeministrin dhe presidenten që japin urdhëra si të veprojnë ushtruesit e detyrës të këtyre institucioneve vitale shtetërore” ka thënë mes të tjerash Hoti.

Ky është postimi i plotë i tij në Facebook:

Zgjedhja e Guvernatorit të Bankës Qendore të Kosovës bllokohet, por jo edhe konkurset për zgjedhje të stafit. Ai që e kurdisi procesin për të ardhur vet në krye të BQK-së, edhe pse përkohësisht, tani ka shpallur konkurset. Sigurisht se kjo bëhet ne lejen e shefit të tij. Ai tani ka “pushtet” të plotë mbi BQK-në, institucionin më të rëndësishëm financiar në vend dhe pa pasur kush ta mbikëqyr punën e këtij institucioni.Ky është mesazhi më i keq që u dërgohet investitorëve dhe tregut financiar. Kjo e thellon pasigurinë ekonomike në vend.Ndoshta Kosova nuk ka nevojë të ketë Guvernator, as Kryeprokuror, as Bord të Trustit, as Drejtor të Thesarit, as Kryeshef të Agjencisë së Statistikave, as Drejtor të ATK-së. Mjafton që e ka kryeministrin dhe presidenten që japin urdhëra si të veprojnë ushtruesit e detyrës të këtyre institucioneve vitale shtetërore.