Hoti për Vetëvendosjen: Këta dojnë me u çmend, do të kujdesemi që kurrë të mos vijnë në pushtet
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është “duke u çmendur vetëm pse ka parë një imazh të mundësisë për të dalë në pushtet”. Në një takim të LDK-së në Pejë, Hoti ka thënë se “do të kujdesemi që kurrë të mos i lëmë të vijnë në pushtet”. Duke folur për marrëveshjen e Washingtonit, Hoti ka thënë se të tjerët janë munduar ta degradojnë.“Të tjerët e kanë ëndërr atë sepse s’flet askush me ta, sepse ata diskomunikohen sepse mundohen ta cenojnë rendin demokratik në vend. Veç janë duke e pa një imazh të mundësisë pushtet, dhe s’kanë për ta parë, ju garantoj. Veç me atë imazh që u del para syve natën, të mundësisë për pushtet, i kanë rënë në qaf KQZ-së si institucion i pavarur e duan të çmenden, e kërcënojnë, shantazhojnë e s’lënë gjë pa bë. S’e meritojnë të vijnë këta në pushtet. Kurrë asnjëherë. Edhe ne kemi me u kujdes që këta të mos vijnë në pushtet”, ka thënë ai.Ka thënë se qytetarët në zgjedhjet e 14 shkurtit “nuk do të votojnë sikur me ‘like’, por me zemër e me mendje”.Hoti dhe partia e tij, LDK, ishin në bashkëqeverisje me Vetëvendosjen, deri në qershor kur LDK-ja vendosi ta rrëzonte Albin Kurtin nga pushteti për të formuar vetë qeverinë. Me kërkesën e VV-së në Gjykatën Kushtetuese për kushtetutshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, të dënuar me burgim, Kushtetuesja vendosi për të rrëzuar Qeverinë Hoti duke çuar vendin në zgjedhje. Në aktgjykim ajo shtoi se u ndalohet kandidimi personave të dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit. E si pasojë e kësaj pike, të premten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk certifikoi listën e kandidatëve të VV-së me Kurtin në krye. Vetëvendosje sot pritet të ankohet ndaj vendimit.