Hoxhaj e Ismaili takohen me farmacistë: Premtojnë ulje të çmimit të barnave për qytetarët

0

Partia Demokratike e Kosovës po insiston në jetësimin e udhëzimit administrativ me anë të cilit rregullohen çmimet e barnave. Madje, sipas kësaj partie, dy qeveritë e kaluara kanë dëmtuar shumë qytetarin e Kosovës, ndërkohë që kandidati për kryeministër Enver Hoxhaj ka theksuar se do të trajtohet me prioritet sektori i farmacisë.

Kështu u tha të dielën, gjatë takimit që pati me farmacistë, kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj dhe nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili. Hoxhaj u ka premtuar mbështetje farmacistëve, duke theksuar se dallimi i çmimeve të barnave po dëmton qytetarët e Kosovës.

“Këtu llogaritni mbështetje të plotë, po më vije shumë mirë që ju keni qëndrimin unik, sikur që ne kemi qëndrimin unik që ta rikthejmë atë udhëzim administrativ. Për shkak të pandemisë një pjesë e madhe e qytetarëve kanë paguar shuma të mëdha të parave për t’u shëruar”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka treguar se duke qenë vet i infektuar me Covid-19, e di mirë se sa i ka kushtuar terapia gjatë kohës së trajtimit për ta tejkaluar virusin.

“Shuma është shumë e madhe, është e barabartë me rrogën time të deputetit. Dhe nëse paga ime shkon për të tejkaluar COVID-19, imagjinoni dikë që është pensionist apo dikë që ka një pagë më të ulët”, theksoi Hoxhaj.

Ai ka siguruar farmacistët që do të kenë prioritet shëndetësinë. Ndërkohë, këta të fundit kanë kërkuar që të jenë pjesë e spitaleve, e për këtë Hoxhaj tha se do të kenë parasysh hallet e tyre, duke hapur vende të reja të punës.

“Rregullimi më i thjeshtë është që të hapen vende të reja të punës në mënyrë specifike, në klinikë, në spitale rajonale, të përgjithshme, në qendra të mëdha të Kosovës. Prandaj, dua t’iu them që llogariteni në mbështetjen tonë të plotë”, ka thënë Hoxhaj.

Ai shtoi se PDK ka një program, të cilin e ka prezantuar bashkë me Uran Ismaili, së fundmi, për ta rimëkëmbur shëndetësinë në Kosovë.

“Nuk është i shkruar në gur, është dokument i gjallë. Nëse ju keni propozime konkrete ose çfarë do të duhej të inkuadronim në këtë program, ne jemi të gatshëm që të integrojmë dhe nuk janë vetëm premtime elektorale por janë fakt zotime tona të mirëfillta”, ka shtuar ai.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili tha se sektori i farmacisë duhet të trajtohet me prioritet, meqë është lidhja mes qytetarit dhe barnave. Ai theksoi se këtyre të fundit po i dëmtohet gjepi me çmimet e larta.

“Ju e keni parë rastin me remdesivir një bari që kushtonte 20 euro, filloi me të shitet në Kosovë 200 deri në 700 euro. Edhe në një kohë kur ai ka nevojë më së shumti, qeveritë e kaluara asnjëra nuk e ndali këtë abuzim që po i bëhet qytetarit. Edhe kush po është adresa? Po jeni ju, se po mendojnë që ju jeni abuzuesit.”, ka thënë Ismaili.

Veç tjerash, Ismaili ka theksuar se janë të vendosur që të mos lejojnë asnjë lloj abuzimi që për vjet të tëra u janë bërë qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *