Hoxhaj në takim me Metën: PDK-ja duhet të qeverisë për ta ndaluar zhbërjen e shtetit
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, pas takimit me presidentin shqiptar Ilir Meta, ka thënë se PDK-ja duhet të udhëheqë me qeverinë e ardhshme për ta ndalë degradimin e qeverisjes dhe zhbërjen e shtetit.
Përmes një statusi në “Facebook”, Hoxhaj, ka njoftuar për takimin që kanë pasur me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me të cilin biseduan rreth zhvillimeve politike në vend dhe rajon si dhe për sfidat e vitit 2020 në përballje me pandeminë dhe ekonominë.
I shoqëruar nga nënkryetari Xhavit Haliti dhe sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili zhvilluam takim edhe me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me të cilin biseduam, mes të tjerash, për zhvillimet e fundit politike në Kosovë e rajon si dhe për sfidat e vitit 2020 në përballje me pandeminë dhe ekonominë. “, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Ai gjithashtu ka thënë se janë pajtua për nevojën e thellimit të bashkëpunimit për unifikimin e qëndrimeve kombëtare në përballje me rreziqet dhe sfidat e rimëkëmbjes politike e ekonomike të shqiptarëve.
“PDK duhet të udhëheqë me qeverinë e ardhshme, për ta ndalur degradimin e qeverisjes dhe kërcënimet që përbëjnë rrezik për zhbërjen e shtetit të Kosovës. “, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.