Hoxhaj reagon për Dakën: Dyshja Kurti-Osmani po rrezikojnë demokracinë dhe funksionimin e institucioneve të pavarura
Kryetari i PDK-se Enver Hoxhaj ka qenë i ashpër pas vendimit të Presidentes Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga KQZ. Ai ka thënë se ky vendim po rrezikon demokracinë në vend dhe ka kërkuar që askush të mos heshtë. Ky është postimi i plotë i tij: Dyshja Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë të vendosur për të shkatërruar e kapur secilin institucion kredibil dhe të pavarur në vendin tonë. Në përpjekjet e tyre për të kthyer prapa secilin proces demokratik e shkarkuar secilin zyrtar profesional, sot Vjosa Osmani me urdhrin e Albin Kurtit shkarkoi nga detyra kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka. Viteve të fundit, KQZ ka qenë një prej institucioneve më të besueshme dhe me profesionale në vendin tonë, duke qenë përgjegjëse dhe meritore për zgjedhjet më të mira në rajon vit pas viti. Ky vendim i një kinse presidente, në shërbim të një kinse kryeministri, është një prej goditjeve të radhës e të rënda që po i bëhet demokracisë të vendit tonë. Shumica e arsyetimeve që janë dhënë për shkarkimin e saj nuk kanë të bëjnë fare me kompetencat e kryetares së KQZ-së. Për më tepër, ky vendim përbën edhe shkelje kushtetuese sepse Presidenti i Republikës në asnjë vend që ka demokraci kushtetuese parlamentare nuk mund të shkarkojë asnjërin prej anëtarëve të organit që organizon dhe përgatitë mbajtjen e zgjedhjeve. E faktin se vendimi ishte kryekëput personal e hakmarrje politike, e vërteton që vendimi u mor në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale duke vendosur në pikëpyetje organizimin e tyre. Fatkeqësisht, mëria dhe inferioriteti që këta dy persona kanë ndaj zhvillimeve historike e shtetformuese në Kosovë, nuk do ta ndalet me këto veprime. Me këtë udhëheqje, inate e amatorizëm qeverisës, rreziqet që e presin Kosovën janë të shumta dhe alarmante. Ndaj kësaj keqqeverisje dhe ndaj këtyre vendimeve të shëmtuara nuk duhet të heshtë askush./qendrapress.com/