Hykmete Bajrami kërkon hetime: Asamblisti i VV-së nuk është i vetëm në biznesin e drogës

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami,  i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojë rastin e përfshirjes së asamblistit të VV-së në trafikim të narkotikëve, sepse sipas saj ai nuk është i vetëm në këtë biznes.

Deputetja Bajrami i ka përmendur, siç shprehet ajo, disa skandale të qeverisë Kurti si: “Tregtinë me drogë, koordinimin me Radojçiqin, biznesin e rrymës së ambasadorit me Serbinë, hajnitë në KEK”, për të cilat thotë se partia në pushtet do të ndëshkohet.

E ndëshkimi, sipas saj, do të vijë nga vota e popullit.

Postimi i plotë: Qeveri e shpresës me shitblerje të drogës, a?
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje po e fundos Kosovën. Tash, me afera të tregtimit të drogës nga eksponentë kryesorë. Zënia e asamblistit të Vetëvendosjes në Prishtinë me gjysmë milioni euro drogë duke transportuar në Shqipëri është përmbysje e shpresës së rreme të proklamuar nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosjes.
Prokuroria duhet ta hetojë këtë ndërmarrje kriminale meqë asamblisti i Vetëvendosjes nuk është i vetëm në biznesin e drogës. Sikurse nuk ishte i vetëm as Martin Berishaj në tregtimin e rrymës me Serbinë. Sikurse nuk ishte e vetme Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes kur koordinohej me Radojcicin. Sikurse nuk është një person i përfshirë në keqpërdorimet e rezervave shtetërore.
Tregtinë me drogë, koordinimin me Radojcicin, biznesin e rrymës së ambasadorit me Serbinë, hajnitë në KEK dhe të gjitha skandalet tjera do të ndëshkohen.
E ndëshkimin më të madh do ta përjetoni nga vota e popullit.0
Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar rastin e arrestimit të asamblistit Besnik Mujeci, i cili bashkë me disa të tjerë dyshohet se u kap me substanca narkotike në Shqipëri.

Sekretari për media dhe komunikim në Vetëvendosje, Arlind Maxhuka ka bërë të ditur se me të marrë informacionin kanë iniciuar menjëherë procedurën disiplinore.

Si veprim imediat, ai thotë se Komisioni Disiplinor i LV-së do të mbajë mbledhje urgjente për të trajtuar rastin në fjalë.