Ibrahimi nga AKK: Nuk e kundërshtojmë rishqyrtimin e masave në fuqi
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi deklaron se nuk e kundërshton rishqyrtimin e masave në fuqi kundër COVID-19.Ibrahimi, për Gazetën Shqip.com, tha se kërkesat e këtij asociacioni janë të njëjta si para dy muajsh.“Duke pas parasysh situatën e qetë dhe stabile me COVID-19, qëndrimi zyrtar i AKK-së dhe i deritanishëm është që masat siç janë kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe obligimi i bartjes së maskës për personat që lëvizin vetëm në ambiente te jashtme të largohen. AKK nuk e kundërshton rishqyrtimin e masave”, tha ai.Duke vlerësuar gjendjen momentale me pandeminë, Ibrahimi tha se numri minimal i të infektuarave me Coronavirus, nuk është për shkak të orës policore, por për shkak të vetëdijes së qytetarëve të cilët janë vaksinuar.Më tej, kryetari i këtij Asociacioni, hodhi edhe kritika ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët sipas tij, janë treguar të ngathët në planin për vaksinim të qytetarëve.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi
“Sikur Ministria e Shëndetësisë të kishte bërë imunizimin me kohë, do të kishim pas më shumë persona të vaksinuar. Në pikun e pandemisë, qytetarët ishin shumë të interesuar të vaksinoheshin, por, në atë kohë, qendrat e vaksinimit filluan të mos punonin në vikend pastaj nuk kishte as termine për vaksinim”- shtoi ai.Ndër tjerash, ai shtoi se ora policore nuk ka qenë çelësi i uljes së rasteve me COVID-19, por vaksinimi kundër Coronavirusit.“Në mënyrë shkencore, vaksinimi është konstatua të jetë arma e vetme që është efikase kundër përhapjes së COVID-19 dhe në asnjë rast nuk kemi ndonjë argument shkencor që armë kundër përhapjes së COVID 19 është ora policore”, deklaroi Ibrahimi.Ministria e Shëndetësisë, më 27 nëntor kishte mbajtur një takim me Komitetin për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19, ku kanë diskutuar edhe për variantin e ri, Omicron, shkruan Shqip.com.Nga ministria kishin paralajmëruar se sot do të bëhej rishqyrtimi i masave në fuqi. Ndërsa, kryetari i AKK-së, tha se deri tani nuk kanë pranuar asnjë ftesë për takim nga institucionet e Kosovës për të diskutuar për rishqyrtimin e masave.Sipas të dhënave të fundit nga MSh, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar dy raste të reja me COVID-19, ndërsa nuk është shënuar asnjë i vdekur.Numri i përgjithshëm i dozave të administruara deri tani, sipas MSH-së, janë 1 milionë e 614 mijë e 212 vaksina.Sipas vendimit të kësaj ministrie, personat që duan të vaksinohen nuk kanë nevojë për termin ndërsa janë vënë në lëvizje edhe ekipet mobile./Insajderi.com