IHMK-ja paralajmëron vërshime – krahas reshjeve fajtor edhe infrastruktura
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), referuar parashikimit të motit për ditët në vijim, ka alarmuar mundësinë e vërshimeve në disa rajone të Kosovës. Ndërsa ekspertë të emergjencave kanë thënë se për të evituar vërshimet, institucionet duhet angazhuar më shumë në mirëmbajtjen e infrastrukturës
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), të mërkurën ka paralajmëruar mundësinë e vërshimeve për shkak të reshjeve të shiut gjatë ditës së mërkurë dhe parashikimeve se do të ketë reshje edhe ditëve të tjera të javës. Ky institucion megjithatë ka përjashtuar përmbytjet nga lumenjtë, meqë, sipas tij, sasia e ujit në to është në kuotat mesatare.
“Kanë filluar reshje të shiut në tërë vendin, me intensitet më të lartë nëpër disa zona (veriperëndimore, qendrore dhe verilindore) të cilat mund të shkaktojnë disa vërshime të shpejta, sidomos nga rrjedhat lumore me karakter malor, të cilat mund të shkaktojnë pengesa në qarkullim, sisteme të kanalizimit, probleme në të gjitha aktivitetet bujqësore, probleme me trafikun, rrezik për rrëshqitje dheu, etj”, thuhet në njoftimin e IHMK-së
Sipas një tabele të publikuar nga Instituti, gjatë ditës së mërkurë të gjithë lumenjtë kryesorë të vendit kanë pësuar ngritje të nivelit të ujit, e më së shumti lumi Llap. Instituti ka këshilluar qytetarët për kujdes të shtuar, meqë parashikohet që edhe në ditët në vijim të ketë reshje shiu.
Për rrezikun nga vërshimet dhe parandalimin e tij ka folur eksperti i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti. Ai ka kritikuar institucionet për mosveprim të mjaftueshëm.
“Institucionet po theksojnë që po punojnë, mirëpo sa herë që po kemi të reshura pak më të dendura në disa pjesë po kemi telashe dhe vërshime të ndryshme”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka kërkuar mirëmbajtjen e vazhdueshme të infrastrukturës që i ekspozohet ujit për të minimizuar mundësinë e vërshimeve.
“Për vërshime duhet punohet në vazhdimësi, të bëhet pastrimi i lumenjve, pastaj që në zonat urbane apo në qytete të pastrohet rrjeti i kanalizimit… Sistemi i ujëmbledhësve që është në qytet gjithashtu të pastrohet”, ka theksuar Ahmeti.
Në fillim të këtij viti, disa komuna u goditën nga përmbytjet, ku krahas dëmeve materiale, u regjistruan edhe dy viktima.