INATI I MADH DHE TAKATI I VOGËL I SURROIT, NË NJË PAMFLET POLITIK (1) -Shkruan;Bedri Halimi
Në vend të hyrjes: Roja i Rrahman Morinës dhe luftëtari i nacionalizmit shqiptar Në kohën kur hegjemonia serbe kishte marrë hov dhe donte ta realizonte projektin e Akademisë Serbe të Arteve dhe Shkencave për heqjen e autonomisë së vitit 1974, në Kosovë po ndodhnin demonstrata të përgjakshme. Në të gjitha vendet e Kosovës. Në përkrahje të tyre ndodhën edhe demonstrata të mërgimtarëve tanë në Perëndim. Përmes këtyre demonstratave synohej sensibilizimi i gjendjes së pabarabartë të Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht në Jugosllavi. “Rilindja” në aspektin politik ishte dritare e ‘Tanjugut’. Tanjugu zëdhënës i hegjemonisë serbe. Surroi punonte në ‘Rilindje’. Vullnetarisht, nga që ja ndjente zemra në rolin e një Shefi të ri, me karakteristika moralo politike të përshtatshme, nuk mund të qëndronte indiferent ndaj demonstratave kundër ndryshimeve kushtetuese dhe sidomos parullës “Kosova Republikë”. Por të shohim se çfarë e shqetësonte Shefin e ri me cilësi moralo politike shumë të përshtatshme për kohën. „ROJAT“ E KUSHTETUTËS, Veton Surroi në „Rilindja“ 4 mars 1989 Për Surroin atëbotë “Imazhet e klasës punëtore në protestë tejkaluan kufirin Jugosllav e evropian”,… ”Mu në çastin kur pasojat e intensitetit të një protestate të tillë ende nuk janë eliminuar, në skenën politike të rrugëve të Evropës Perëndimore u lajmëruan grupet emigrante, me dëshirë që të japin përgjigje, e që janë paraqitur dhe paraqiten nga pozitat e nacionalizmit shqiptar. Për këtë dëshmojnë edhe dy sosh nga vargu i demonstratave që janë organizuar kohëve të fundit. Edhe në këto, siç shihet në mënyrë evidente, nëpërmjet të gjoja përkrahjes së klasës punëtore zhvillohet një proces i agjitimit të një programi politik që në thelb s`ka të bëjë me klasën punëtore kosovare”. Pra demonstratat në perëndim janë paraqitur nga bazat e nacionalizmit shqiptar, sepse po kërkuakan mosndryshimin e kushtetutës në njërën anë dhe në anën tjetër edhe Republikë. Pra edhe bukë edhe kulaç! Te dyja nuk shkojnë apo jo. Por protestuesit kanë harruar atëbotë ta pyesnin Surroin. Kështu që Surroi menjëherë ua ka gjetur defektin se “Në demonstratën e Gjenevës, në të cilat brohoritet lart se organizohen për hirë të përkrahjes së puntorve kosovar, harrohet e dhëna se në të njëjta valë të protestës nuk morën pjesë punëtorët e nacionalitetit serb e malazias. Çfarëdo shpjegimi që të jepet, e është evident se duhet shpjeguar se përse arrihet gjer te ndasia e plotë e klasës punëtore në një moment kur artikulohen kërkesat politike, megjithatë nuk mund të eliminohet fakti se protestat e fundit, sado që përfshinin shumicën dërmuese të klasës punëtore kosovare, megjithatë lanë pa përfshirë pakicën e manifestuar ekskluzivisht nga përkatësia nacionale”. Këtu Surroi qëllimisht bën dy ngatërrime: E para, se nuk morën pjesë punëtorët e nacionalitetit serbë në demonstrata dhe e dyta, se paskan bërtitur “Kosova Republikë”. Jo vetëm punëtorët serbë, por çdo shtresë e shoqërisë serbe në Kosovë, ishte e instrumentalizuar paraprakisht në shteti serb, duke u pajisur me propagandë kundërshqiptare. Prandaj si kanë mundur të marrin pjesë serbët në demonstrata? Dhe jo vetëm kaq! Përse serbët duhej të merrnin pjesë në demostrata kur ata tashmë ishin levë e pushtetit kundër shqiptarëve? Por për Surroin “metodologjikisht ky nuk është gabimi i parë, por me të vijnë edhe të tjerët. E ashtuquajtura „përkrahje puntorve“ në Gjenevë u përcoll me brohoritjen e parullës nacionaliste „Kosova Republikë“, e kjo gjë është për t`u habitur, kur dihet se pos në disa raste të rralla të brohoritjes gjat protestave të nëntorit, klasa punëtore shqiptare, turke e myslimane nuk u paraqit me këso parulla e as që e përkrahu”. Surroi këtu jo që nuk bën dallimin mes shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë, por qëllimisht i ngatërron duke i barazuar për ta ngulfat procesin. Dhe kjo për Surroin nuk ka ndodhur vetëm në Gjenevë. “Rasti i Gjenevës nuk qe i izoluar dhe faktikisht tregoi më përafërsisht se për çka është fjala. Në Bruksel po ashtu në emër të përkrahjes së klasës puntore, demonstrantët nga pozitat e nacionalizmit shqiptar arritën të bëjnë një kësi konstrukti të palogjikshëm politik”. Surroi këtu dëshiron të bëj një ndarje: o autonominë e 1974-sh, o Republikë. Te dyja nuk shkojnë nga se “me parullën „Kosova-republikë“, angazhohet mu për ndryshimin e bazave themelore kushtetuese”, që “tentuan me metoda të ndryshme jo institucionale e të dhunshme ta ndërrojnë”. Tentimin për ti penguar synimet hegjemoniste serbe në Kosovë, përkatësisht për ta penguar gjenocidin politik në Kosovë, Surroi e interpreton si “Dashuria e re ndaj Kushtetutës së vitit 1974, pra ndaj Kushtetutës së sotme, kundër së cilës qysh dje u sulën grupe nga këto pozita sipas elaborimit të mëtejmë të strategjisë së tyre politike, është çdo gjë tjetër pos dashurisë”. Klasa punëtore shqiptare kosovare (se mos e na hidhërohet Surroi për të mos me përmendur termin shqiptare) nuk ndjente dashuri ndaj Kushtetutës së vitit 1974. Kjo klasë as që e dinte se çka është dashuria ndaj shtetit nga i cili vetëm ishte shfrytëzuar dhe që kurrë nuk e kishte përjetuar dashurinë e shtetit. Prandaj ata “Bashkangjitur me programin politik, në kreun e të cilit është parulla „Kosova – Republikë“, nacionalistët shqiptar u shpërndan gazetarëve të huaj edhe një hartë, siç thanë ata të territoreve shqiptare në Jugosllavi. Plotësisht në përputhje me ideologjinë nacionaliste të „truallit dhe gjakut“ këto grupe manifestuan jo vetëm se si e shohin gjeografikisht Jugosllavinë, por si e shohin edhe fatin e nacionalitetit shqiptar”. Dhe këtu kanë bërë blasfemi padyshim. Demonstruesit e kanë sharë, fenë – Jugosllavinë (përkatësisht Serbinë) dhe zotin e saj që nuk dihej cili është. E Surroi është i kujdesshëm. Është kuadër i partisë. Prandaj përderisa është kështu, nuk ka se si mos t’ua çaj hallin “të tjerëve” në Kosovë që në një mënyrë po rrezikohen nga nacionalistët shqiptarë. Kështu fundja thoshte edhe politika zyrtare e LKJ-së dhe LKS-së. Prandaj në funksion të saj Surroi konkludon “Së pari, duke u shërbyer në radhë të parë me praninë numerike të nacionalitetit shqiptar, vendin ku ata jetojnë e punojnë e shpallin si „truall shqiptar“, duke vënë në rangë të „mysafirëve“ të gjitha nacionalitetet e tjera, gjë që është padrejtësi e madhe ndaj tyre, pra edhe ndaj shqiptarve që ndajnë të mirën dhe të keqen së bashku me to”. Mos të harrojmë: Surroi është edhe humanist siç po shihet. Por humanist i madh, ama. Prandaj si largpamës i madh që është, që me sukses sheh deri te hunda e vet, thotë në profecinë e tij: “E sa larg mund të shkoj kjo tezë mbi truallin e gjakun nuk shihet vetëm në histori, sepse ç`do të ndodhte në këtë Jugosllavi po të cilësohej „territor kombëtar“ hapësira ku jetojnë një shumicë e theksuar numerike kombëtare. Ç`do të ishte Kroacia pos „territorit kroat“ ç`do të ishte Maqedonia pos „territorit maqedonas“ e fundja, ç`do të ishte Jugosllavia pos „territorit serb“, sepse në RSFJ popullata më e madhe numerike është e nacionalitetit serb”. Surroi e ka edhe një hall në këtë drejtim. Se nga nacionalistët shqiptarë, kur flitet për territore shqiptare as që mendohet për Jugosllavinë. E ka hallin e Jugosllavisë i gjori. Prandaj thotë “Por sipas të gjitha gjasave, as që mendohet për Jugosllavinë kur flitet për „territoret shqiptare“, sepse në përputhje të plotë me hartën e Shqipërisë së madhe, edhe ky, sikundër çdo nacionalizëm shtetomadh, nuk mund të duroj kufi tjerë pos atij etnik, prandaj edhe në pamfletet separatiste përmendet „lufta përfundimtare“ për shkëputje nga Jugosllavia”. Surroi demonstruesit i quan „rojet e Kushtetutës„ të cilët madje për habinë e Surroit ”në demonstratat e fundit shtrojnë sërish një habi të re: „Nëse ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, do të ketë luftë qytetare“. Dihet se cilit rang i përkasin ideologjitë që kërcënohen me luftë, rangut totalitar, e kështu mund të kuptohen edhe kërcnimet e këtyre grupeve nacionaliste” thotë Surroi, të cilëve nuk ngurron në emër të shtetit t’ua tërheq vërejtjen: “Animoziteti i tyre militant, megjithatë, u ka bërë që të harrojnë disa gjëra: Së pari, se nuk kanë kurrfarë autorizimesh nga populli për ruajtjen e rendit kushtetues, aq më pak të drejtë morale, kur qenë dhe janë kundër këtij rendi. Së dyti, se për ruajtjen e themeleve të Kushtetutës së vitit 1974 janë deklaruar shumica dërmuese e qytetareve të Kosovës dhe. . . përgjegjësinë për ndryshimet kushtetuese e marrin delegatët në procedurë institucionale, e jo grupe demonstrantësh të cilët, siç pamë, as që e kanë afër mëndësh këtë Kushtetutë, as shqiptarët, e as Jugosllavinë”. Prandaj që atëherë Surroi u sugjeron shqiptarëve që të rrinë urtë, e mos të luajnë me zjarr sepse “Të paftuar, të padëshiruar, akrobatët dhe kërcënimet e tyre s`kanë vend në zgjidhje serioze të kurrfarë problemi” përfundon në mënyrë të prerë Surroi. Në vijën e partisë natyrisht. Sa keq! Profecia e Burdushit Surroi dështoi. Jugosllavia ra. Ku dinë fshatarët ta përfillin shtetin jugosllav. Mbeti nostalgjia. . . Dështimi i Surroit në formimin e UJDI-t -Në kohën kur sistemi komunist po binte nëpër të gjitha vendet e Lindjes, komunizmi ishte e kuptueshme se po binte edhe nw Jugosllavi e rrjedhimisht edhe në Kosovë. Si rrjedhojë e rënjes së këtij sistemi, të gjitha Republikat që bënin pjesë në Federatën Jugosllave, kërkuan shkëputje nga Jugosllavia. Kjo gjë nënkuptonte shpërbërjen definitive të Jugosllavisë. Para se të ndodhnin luftat me Slloveni, Kroaci e Bosnje, pati përpjekje që të mos lejohej shpërbërja e kreaturës së quajtur Jugosllavi. Në mesin e këtyre partizanëve për ruajtjen e Jugosllavisë ishte edhe Veton Surroi. Ai siç dihet ishte partizani kryesor nga Kosova për formimin e UJDIT në Kosovë. Komunisti Veton Surroi, si djali i një komunistit të devotshëm, i vinte keq që po shkatërrohej Jugosllavia. Prandaj te ky njeri ishte e përzier ndjenja e jugonostalgjisë së bashku me dhembjen për shkatërrimin e Jugosllavisë. Surroi kishte të drejtë të ndjente dhembje për krijesën të cilës personalisht ai dhe familja e tij ja kishte pa hajrin. Por ja që këtë dhembje dhe këtë nostalgji të Vetonit nuk e kishte populli i Kosovës, i cili nuk ja vari as dëshirës e as nostalgjisë së tij për tu këqyr nw UJDI, përkatësisht për të ra në ‘ujdi’ me të, për ta ruajtur Jugosllavinë. UJDI dështoi, sepse ishte kreaturë e dyshimtë, që nuk do ti sillte asnjë të mirë asnjë Republike, e rrjedhimisht nuk do ti sillte as Kosovës. Ky koncept po të realizohej do ti sillte të mirë së pari Serbisë, kurse në Kosovë vetëm Surroit dhe familjes së tij. Sot nuk e dimë a është shëruar nostalgjia e Surroit për UJDIN. Hyrja në Parti Parlamentare për tu bërë i pari Në kohën kur në Kosovë u formua Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Fshatare, fillimisht u pat formua edhe Parlamenti Rinor. Më vonë ky Parlament Rinor u shëndrrua në parti politike që mori emrin Partia Parlamentare e Kosovës. Në këtë Parti bënin pjesë disa të rinj entuziast nga komuna të ndryshme të Kosovës, siç kishte edhe të burgosur politik e veprimtarë të dalluar. Meqenëse LDK-ja rreth vetës kishte mbledhur pjesën dërmuese të popullatës, Vetoni si duket nuk pati vend në LDK, ose LDK-ja nuk e pranoi në radhët e saj. Në fakt Surroi nuk donte që të ishte një anëtar i thjeshtë i LDK-së. Ai donte të ishte gjithkund i pari. Prandaj Vetoni ja mësyri Partisë Parlamentare me synimin për tu bërë i pari i Partisë. ‘Ma mirë i pari në katund se i mrami në sheher’- thotë populli. Prandaj në zgjedhjet partiake të Partisë Parlamentare, në Kuvendin e kësaj partie të mbajtur në Prishtinë, Veton Surroi nuk hyri as në kryesi të kësaj partie, e lere më që të bëhej Kryetar. Si duket anëtarësia e Partisë Parlamentare në bazë të veprimeve dhe observimeve të Surroit në qasjen e tij “pragmatike “ për çeshtjen e Kosovës, nuk i plotësoi kriteret e aktivisteve të Partisë Parlamentare. Po si mund të shkonin bashkë Surroi në njërën anë dhe ta zëmë Zahir Pajaziti, si aktivist i Partisë Parlamentare në anën tjetër? Energjia e Surroit për tu bërë i pari në një subjekt, sërish dështoi, duke mbetur kështu nostalgjia dhe dëshira e parealizuar për çashtje dhe qasje “pragmatike”. Surroi në “Varrosjen e dhunës” Surroi, duke e parë se dështoi sërish, për ta shtrirë ndikimin e vet, kishte filluar ta botonte revistën KOHA. Në anën tjetër shfletonte për të gjetur ide të reja, përmes së cilave do të shkëlqente në faktorin e brendshëm. Kishte dëgjuar dikund se në Perëndim, përkatësisht në botën e civilizuar bëhej edhe varrosja e dhunës në shenjë simbolike. Kjo me qëllim për të trokitur në ndërgjegjen edhe të ushtruesve të dhunës, urdhërdhënësve të dhunës, por edhe të opinionit ndërkombëtar, që po e shihte tashmë ushtrimin e dhunës së përditshme në Kosovë. Dhe Vetoni u nis me tabut në krahë, të gjatë mbi dy metër, duke i bërë thirrje paraprakisht popullit për ta përkrahur në këtë veprim simbolik të tij, siç e kishte përkrahur edhe në veprimet e cingërimës me qelësa e tenxhere. Por Vetonin edhe përkundër kësaj, një pjesë e popullit këtë radhë e përkrahu, nga shpresa se mos vërtet do ti ndalej dhuna (i sëmuri lyp sherim edhe te Burdushi). Por kjo mbeti vetëm një shaka cinike, të cilën e përdorin shumëkush edhe në situata tragjikomike. Vetoni nuk e kuptonte se një adet i tillë ishte i huaj jo vetëm për shqiptarët si përjetues të dhunës por në radhë të parë nga serbët si ushtrues të saj. Edhe ky aksion i Surroit dështoi, sepse dhuna nuk u ndal. Mbeti sërish nostalgjia. . . (vazhdon)