Inspektorati i Tregut u jep 3 ditë afat furrtarëve të Gjilanit të arsyetojnë shtrenjtimin e çmimit të bukës

                                    Ngritja e çmimit të bukës në furrat e Gjilanit nga 50 centë, në 60 centë, bëri që Inspektorët e Tregut t’i inspektojnë sot disa nga furrat e këtij qyteti.Furrtarët në Gjilan kanë deklaruar para inspektorëve se shtrenjtimi i bukës nga 50 në 60 centë ka ardhë si shkak i shtrenjtimit të çmimeve.Por, inspektorët u kanë dhënë furrtarëve afat prej tre ditësh që të dëshmojnë se i kanë marrë produktet e tyre me çmim më të shtrenjtë.Lebibe Haliti, zëvendëskryeinspektorja e Inspektoratit të Tregut, tha për KALLXO.com se arsyetimi që e kanë dhënë dy nga furrat që e kanë ngritur çmimin e bukës, ka qenë shtrenjtimi i çmimit të grurit.“Inspektorët e tregut në Gjilan i kanë inspektuar dy nga furrat e bukës që e kanë pas këtë çmimin e bukës për 0,60 centë. Ata i kanë verifikuar edhe peshoret nëse i kanë të kalibruara, deklaracionet i kanë të vendosura qysh duhet me qenë, por për çmimin e bukës furrtarët janë arsyetuar për faktin që janë rritur edhe çmimet e produkteve grurit”, tha Haliti.Ajo shtoi se pas tre ditësh, inspektorët do të dalin me një vendim në lidhje me këtë çështje, pasi sipas saj janë në pritje të dokumentacioneve nga ana e furrtarëve.“Për këtë inspektorët kanë kërkuar dokumentacion që ka me dëshmu që ai para kësaj date e ka marrë më lirë e tash është më shtrenjtë, që do të thotë kanë mbetur tash me u vlerësu”, tha Haliti.KALLXO.com raportoi dje se në qytetin e Gjilanit është rritur çmimi dhe tashmë një bukë e bardhë po shitet për 0,60 centë.

Sot, Shoqata e Mullisëve ka thënë se aktualisht në Kosovë nuk ka rritje të çmimit të miellit.

KALLXO.com ka dërguar pyetje tek Autoritetit Kosovar i Konkurrencës dje, por nuk kanë kthyer përgjigje. Ndërsa, sot i janë përsëritur pyetjet nëse do të ndërmarrin ndonjë veprim në këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.