Institucioni i Avokatit të Popullit do të bëjë analizë për tërheqjen e 10% nga Trusti
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se institucioni që ai drejton do të bëjë analizë për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Fondi Pensional i Kursimeve.
Grupeve që kanë më së shumti nevojë dhe që janë në kushte të rënda ekonomike, do t’u jepet përparësi.
“Janë grupet me nevoja sociale, që jetojnë në kushte të rënda dhe kanë nevojë për ndihmë nga autoritetet publike. Këtu hyjnë familjet që nuk kanë të ardhura personale, asnjë të punësuar, të varfrit, pastaj në kategoritë e të moshuarve, fëmijët, personat me aftësi të kufizuar dhe kategoritë tjera të mundshme. Në këtë drejtim do të bëjmë analizën e pakove ligjore për të parë sa kanë pasë kujdes autoritetet publike me iu ndihmu këtyre qytetarëve që rrezikohen më shumë, sepse nëse nuk u ofrohet mbështetje padyshim që u cenon të drejtët për t’u vlerësuar të barabartë”, tha Qelaj në Interaktiv.
Duke folur për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti, dhe se të moshuarit mbi 65 vjet nuk munden, Qelaj tha se do të punojnë edhe në këtë drejtim.
“Në vështrim të parë mund të thuhet se ata po marrin pensione nga ai Fond, por në anën tjetër, pakoja ka mundësuar rikthimin e atyre mjeteve brenda 3 viteve, besoj se edhe ata duhet ta gëzojnë këtë benefit dhe privilegj. Megjithatë jemi herët të dalim me qëndrime të sakta”, tha tutje Qelaj.