Intervistimi nga Krimet Ekonomike, reagon Alban Zogaj
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj u intervistua nga krimet ekonomike. Pasi është lënë i lirë ai ka dal me një reagim në profilin e tij në “Facebook”.Zogaj tha se u intervistua në cilësinë e dëshmitarit, pas arrestimit të zyrtarëve të kësaj komunë.Postimi i plotë
”Ju njoftoj se sot pasdite jam intervistuar nga Policia e Kosovës, në cilësinë e DËSHMITARIT, në ndërlidhje me rastin e ndalimit të tre zyrtarëve komunal të Komunës së Prishtinës. Ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat ne si qeverisje i kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar. Sipas kërkesave të drejtorive përkatëse, këto kontrata mbi vepër kanë qenë pozicione të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të Prishtinë”, shkroi ai.Sot Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se janë arrestuar dy zyrtarë të lartë të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë nën dyshimet për punësime të kundërligjshme.Sipas njoftimit të prokurorisë, dy zyrtarët dyshohen se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme, kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion, si dhe në mënyrë të kundërligjshme e kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm.