Ish-gjyqtari i Kushtetueses që e rrëzoi Qeverinë Hoti bëhet këshilltar i Vjosa Osmanit
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, së fundi i është bashkuar si këshilltar kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani. Sejdiu kishte qenë gjyqtari raportues i lëndës në Kushtetuese për votën e ish-deputetit Etem Arifi për formimin e Qeverisë Hoti, që unanimisht u votua s’i jo kushtetuese, për ta çuar vendin në zgjedhjet e 14 shkurtit, që pasuan me zgjedhjen e shefes së tij të re, shefe të shtetit. Nga gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, ai ishte dorëhequr në maj të këtij viti, pasi nuk kishte arritur të vijë në krye të institucionit më të lartë për interpretimin e Kushtetutës së Kosovës dhe shqyrtim gjyqësor të ligjeve lidhur me përputhjen e tyre me Kushtetutë.Ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, si gjyqtar raportues në lëndën e çuar në Kushtetuese për “anti-kushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit” të deputetit Etem Arifi në seancën e 3 qershorit 2020 për votimin e Qeverisë Hoti, iu ishin dashur rreth tre muaj që të arrinte t’i bindte gjyqtarët tjerë të Kushtetueses që të merrnin pjesë në votim.Kjo pasi që Sejdiu kur kishte lexuar arsyetimin e tij, kishte rezultuar të ishte në favor të kërkesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që e kishin dërguar votën e ish-deputetit Etem Arifit për Qeverinë Hoti në Gjykatë Kushtetuese.Tek më 21 dhjetor 2020, unanimisht, të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese e kishin votuar konstatimin e tij se qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Duke e çuar kështu vendin në zgjedhjet e 14 shkurt 2021, prej të cilave dolën, me mbi 50% të përkrahjes elektorale, Albin Kurti kryeministër i vendit, dhe Vjosa Osmani Presidente e gjashtë e Republikës së Kosovës. E në kabinetin e kësaj të fundit, prej javësh, është angazhuar si këshilltar edhe vetë ish-gjyqtari raportues i lëndës që rrëzoi Qeverinë Hoti, Bekim Sejdiu, raporton Gazeta Online Reporteri.net.Sejdiu tashmë ka ditë që ka filluar punën e këshilltarit në Presidencë, kanë thënë burimet e Gazetës Online Reporteri.net. Të kontaktuar për të marrë informacione më shumë se kur ka nisur angazhimi i tij dhe nëse i njëjti është i angazhuar si këshilltar i rregullt apo i jashtëm i Presidentes Osmani, nga Presidenca të premten nuk kanë treguar gatishmëri të flasin për gazetën.Po ashtu, i kontaktuar nga Gazeta Online Reporteri.net, as Bekim Sejdiu nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike.Sejdiu, që në të shkuarën kishte shërbyer si Ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë (2008-2012) dhe Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju-Jork (2012-2014), nga prilli i vitit 2015 ishte emëruar si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.Angazhimit të tij në Gjykatë Kushtetuese i dha fund vetë ai në maj të këtij viti, duke dhënë dorëheqje, pasi dështoi të zgjidhet kryetar i Kushtetueses.
Megjithëse ka filluar punën e re, emri i tij e as biografia nuk i janë publikuar ende në faqen zyrtare të Presidencës, krahas pjesës tjetër të kabinetit dhe këshilltarëve politik të Vjosa Osmanit. Megjithatë, ndonëse angazhimi i tij në Presidencë deri më tash nuk është bërë publik, prania e Bekim Sejdiu në kabinetin e presidentes Osmani është vërejtur vetëm në disa fotografi nga takimet e fundit të shefes së shtetit, ku ai qëndronte i ulur në pjesën e stafit të saj në takime. /Reporteri.net/.