Ish-komandanti i UÇK-së e pyet Kurtin: A po i mbroni vlerat e luftës, kur do të zhbëhet Specialja?
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti ku ky i fundit, në një intervistë për mediat italiane është shprehur se se ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, kanë bërë luftë të fortë me Serbinë.Ish-komandant i UÇK-së në Koshare i ka thënë Ekonomia Online se nga kjo deklaratë po shihet se Kurti po reflekton dhe se sipas tij, kjo është një kthesë pozitive për kryeministrin.Por siç thekson deputeti i PDK-së kjo është vetëm në nivel të një deklarate teksa ka pyetur se cilat janë veprimet konkrete të institucioneve për mbrojtjen e vlerave të luftës.“Është mirë që përfundimisht edhe vet kryeministri Kurti si përfaqësues më i lartë i Qeverisë dhe institucioneve të shtetit në Kosovë po reflekton, definitivisht po reflekton, ka bërë një kthesë pozitive dhe deklarata e tij se krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht, po tregon se tash më edhe ky është duke gjykuar se në Hagë nuk po pretendohet gjykimi i individëve për vepra individuale, por atje po gjykohet ajo çfarë kemi thënë nga fillimi, vet qëllimi i luftës, sepse gjykimi i liderëve kryesorë të luftës nuk përbënë gjykim ndaj individëve që kanë kryer krime individuale sepse pozicioni i tyre drejtues nuk e ka mundësuar kurrë një diçka të tillë për çka do të isha shumë dakord dhe jam pro zgjedhjes, zbardhjes e të gjitha vrasjeve çoftë gjatë luftës, çoftë atyre politike të pasluftës, por gjykimi aktual në Hagë është gjykim që ka për qëllim gjykimin e vetë qëllimit të luftës sonë”.“Çështja shtrohet, çfarë veprime praktike konkrete institucionale dhe shtetërore ka bërë kryeministri për ruajtjen e atyre personave heronjve që i quajti me të drejtë në Hagë dhe për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe të shtetit? Cilat janë veprimet e deri më sotme?”.Tutje Berisha ka shtuar se duhen veprime praktike institucionale, duke përmendur edhe deklarimet e kreut të Qeverisë derisa ishte në opozitë se Specialja duhet të zhbëhet.Sipas tij, nuk guxojmë për inate politike të gjykojmë negativisht vlerat e luftës dhe të lirisë,raporton EO.“Ne jemi dëshmitarë i deklarimeve të vazhdueshme të po këtij kryeministri që dikur ishte lider në opozitë se me ardhjen tonë do t’a zhbëjmë këtë gjykatë dhe do t’a kthejmë nën juridiksionin e Kosovës, se këto vepra mund të gjykohen edhe në Kosovë”. “Ne nuk guxojmë për inate politike dhe përplasjet politike të paqes të gjykojmë negativisht për vlerat e luftës dhe të lirisë, sepse nëse çdo gjë i ka rrënjët në tokë, liria i ka në gjak, dhe është fyerje edhe për ata që kanë sakrifikuar me mijëra dëshmorë, të vrarë, viktima lufte, mijëra të dhunuar, depërtuar, dëmet të tjera të luftës, është fyerje në çoftë se ne i referohemi heronjve të luftës me aso terme”.