Ish ministri shqiptar: Narrativa që përdor sot Serbia për Kosovën është e njëjta e përdorur nga Rusia në Ukrainë
Kryetari i Partisë Republikane në Shqipëri dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka folur në lidhje me mbledhjen e Këshillit të Sigurisë atje.Mediu tha se e sheh si të mirë mbledhjen, pasi sipas tij, Shqipërisë i duhet një strukturë e posaçme që bën analizen e duhur sa i përket çështjeve të sigurisë.Ai foli edhe për situatën në veri të Kosovës, ku tha se qasja që po ndjek Serbia është e njëjtë me atë që ndoqi Rusia në Ukrainë.“Pas agresionit rus në Ukrainë, koncepti i sigurisë shikohet në një këndvështrim tjetër, nuk është thjesht një koncept mbrojtjeje, ose inteligjence. Jemi në një rajon ku pritet dhe është e mundshme që të ketë konflikte, konflikte të hershme, por edhe konflikte të reja”.“Edhe Shqipëria nuk është një vend jashtë problemeve, duke qenë një vend i NATO-s. Le të shohim atë që ndodh në veri të Kosovës, që është një provokim permanent i Serbisë. Narrativa që përdor sot Serbia është e njëjta e përdorur nga Rusia në Ukrainë”, është shprehur Mediu, shkruan A2cnn.Sipas Mediut, është e nevojshme që të shikohet se si mund të frenohet një inteferencë, penetrim të influencës ruse dhe kineze në rajonin e Ballkanit, e cila sipas tij është shumë prezente sot, me media, me ushtri, me ekonomi.“Forcimi i këtyre pozitave në rajonin e Ballkanit është në dëm të interesave tona kombëtare. Prandaj mendohet që Procesi i Berlinit është një proces më i qenësishëm, sepse kemi nevojë që jo vetëm të kemi qasje më të mirë me BE, por edhe për të frenuar ato gjëra, të cilët nëse fillon procesi, do të jetë pak më e vështirë për t’i frenuar”.“Ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm për të përcaktuar se kush janë partnerët tanë. Kjo është një çështje reale, që duhet të na shqetësojë. Çështja e sigurisë kombëtare nuk është çështje e një qeverie, e një Presidenti, e një momenti të caktuar, por është çështje vazhdimësie dhe si e tillë do duhet të ndërtojmë një strategji tonën të sigurisë kombëtare”, është shprehur Mediu.