Ish-ministrja Dhurata Hoxha lirohet nga akuza për shfrytëzim të kontratës së MIE-së për promovimin e fushatës së saj zgjedhore
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, si dhe Ekrem Tahirit, Fitim Mustafës dhe Gëzim Dushit, lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, raporton “Betimi për Drejtësi”. Ish-ministrja Hoxha akuzohej se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave. Bashkë me të akuzoheshin Fitim Mustafa, Gëzim Dushi dhe Ekrem Tahiri. Dhurata Hoxhaj, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa Ekrem Tahiri akuzohej për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Sipas këtij aktgjykimi, nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale e cila iu vihej në barrë. Shpenzimet procedurale bien në barrë të Gjykatës, ndërsa Qeveria e Kosovës udhëzohet në kontest juridiko-civil.