Ish-ushtarit të UÇK-së që vdiq nga COVID-19 i vendoset pllaka përkujtimore në Koshare

0

                                  Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Hoti – Cani, i cili muaj më parë vdiq nga COVID-19, i është vendosur pllaka përkujtimore në Koshare, vend ku ranë heronjtë Agim Ramadani, Sali Çekaj, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi. Gjithsej 114 luftëtarë nga vise të ndryshme shqiptare. Hasan Hoti nga fshati Ratkoc i Rahovecit, ishte ndër të parët nga ky fshat që iu bashkua Brigadës 138 “Agim Ramadani”. Gjatë luftës, së bashku me të tjerë nga ky fshat, kishin kryer luftime në Koshare. Këtë e ka bërë të ditur, kreu i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Postimi i plotë i tij:

                              Sot, në Koshare nderuam 9 prillin 1999, që simbolizon thyerjen e kufirit të padrejtë dhe të dhunshëm shqiptaro-shqiptar me luftën, gjakun dhe jetën e trimave tanë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përkatësisht luftëtarët dhe udhëheqësit e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, bënë praktikisht një luftë heroike deri në fitore kundër pushtuesit.
Në këtë vijë frontale u përjetësuan në kujtesën e brezave 114 luftëtarë trima-dëshmorë të kombit. Heroikisht ranë në altarin e lirisë, heronjtë Agim Ramadani, Sali Çekaj, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi… Gjithsej 114 nga vise të ndryshme shqiptare. Pati shumë luftëtarë trima edhe nga Anadrini, 5 nga të cilët u pavdekësuan në betejën e Koshares si: Ramiz B. Krasniqi-Dejn, Hamëz A. Thaçi-Xërxë, Haziz R. Tolaj-Pataqan, Naim Sh. Arllati-Brestoc dhe Luan R. Gashi-Hoçë e Vogël, dëshmorë të atdheut. Thyerja e kufirit të hekurt shqiptaro-shqiptar ishte ndër aktet më të lavdishme të luftës tonë çlirimtare dhe Hasan Hoti-Cani ishte protagonist i kësaj ngjarjeje të madhe historike, andaj me homazhe nderuam edhe veprën dhe jetën e tij, tanimë që Cani nuk është në mesin tonë! Qoftë i përjetshëm kujtimi për të rënët!
Lavdi veprës së heronjve dhe dëshmorëve të kombit! Kosharja, krenaria jonë! Lavdi!’’shkruan kryetari i komunës së  Rahovecit Smajl Latifi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *