Ismaili: Për Albin Kurtin më me rëndësi ishin zgjedhjet në Shqipëri ku humbi se jeta e kosovarëve që po vdesin në mungesë të vaksinave
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, në fjalimin e mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria Kurti që të siguroj 2.5 milionë vaksina për imunizimin e të gjithë popullatës. “Ne kemi parë të ndërrohen tri Qeveri, por jo edhe të ndryshojë situata që po e rëndon jetën e qytetarëve gjithnjë e më shumë. Asnjëra prej tyre nuk dha përgjigje për çështjen e vaksinimit, për investimet, për blerjen e barnave me çmime shumë të shtrenjta, ashtu siç në krejt këto sfida as nuk krijuan rrethana lehtësuese për qytetarët.”, tha Ismaili. Gjatë fjalimit të tij, sekretari i PDK-së shtoi se ajo që pamë prej formimit të kësaj Qeverie – ishte se prioritet politik i Albin Kurtit dhe kësaj Qeverie ishin zgjedhjet në Shqipëri. “Prioritet për të ishte Bojkeni, e jo qytetari i Kosovës.”, ka thënë Ismaili. Duke e quajtur të turpshme fushatën në Shqipëri e largimin nga pandemia, Ismaili ka thënë se është e pafalshme refuzimi i vaksinave i Kryeministrit të Kosovës nga Shqipëria. Ismaili i ka kërkuar Kurtit që ta kthejë Qeverinë e Kosovës kah qytetarët e saj. “Qytetarët, që edhe sot janë duke u përballur me vështirësi dhe të vetmuar pa ndihmën e Qeverisë. Xhepi i qytetareve është zbrazur në përballje me pandeminë. Çdo ditë ata blejnë barna të stër-shtrenjtuara, sepse tri Qeveritë krijuan favore për tregtarët e barnave – të cilat plaçkitën qytetarët në kohë pandemie.”, ka thënë Ismaili. Në mungesë të vaksinave, ka disa ditë që qendra e vaksinimit në Prishtinë është mbyllur. Ismaili ka thënë se jemi Kryeqyteti i vetëm në Evropë – në të cilin nuk ka vaksinim aktiv. Në fund, deputeti i PDK-së ka thënë se Qeveria ka vetëm një detyrë. Të blejë 2.5 milionë vaksina për qytetarët e Kosovës. “Qytetarëve u duhen përgjigjet nga Albin Kurti dhe Arben Vitia, të cilët duhet të japin përgjegjësi për pasivitetin e madh, shpërqendrimin e prioriteteve dhe mungesën e transparencës. Qytetarët duhet ta dinë se kur është muaji që Kosova do ta përfundojë vaksinimin, kur është muaji që Kosova mund të hapet, dhe të kthehet normaliteti. Këtë përgjigje e presin sot ata.”, ka thënë Ismaili.