Izolim pa Rimëkëmbje Ekonomike, a po shkon Kosova drejt kolapsit dhe protestave?

0

Ministria e Shëndetësisë, duke u bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës emergjente nga pandemia e COVID -19, dje ka marrë vendim për izolim dy ditor të Prishtinës, Fushë Kosovës dhe disa qyteteve të tjera.


Eksperti i Ekonomisë, Safet Gërxhaliu për lajmi.net është shprehur se Kosova është shndërruar në hapësirë eksperimentale dhe idetë që po konkretizohen në vendime janë larg me realitetin.

Sipas Gërxhaliut, Kosova nuk guxon ta ketë shembull asnjë shtet të fuqishëm kur vjen fjala tek mbyllja dhe masat e ashpra anti-Covid për arsye se sipas tij, vendet e tjera kanë proceduar me hapa të shpejtë në përkrahjen e bizneseve.

“Duhet të kuptohet që brenga më e madhe e Kosovës është shndërrimi në një hapësirë eksperimentale, siç po e shihni, gjithkush po bjen ide në kundërshtim me realitetin dhe në këtë drejtim po shihet se si është politizuar pandemia Koronavirus dhe politizimi i kësaj po e shihni se si po ndikon në mos-votimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike. Në qoftë se ballafaqohemi me një bojkot të tillë politik të një ligji aq të rëndësishëm, si mund të kërkohet mbyllje dhe në fund si e sheh dikush shembull, Gjermaninë, Austrinë, Italinë kur dihet se ato vende kanë bërë shumë për biznesin në vend se ta shkatërrojnë atë”, tha Gërxhaliu.

Më tutje, Gërxhaliu tha se autoritetet shtetërore po e sfidojnë durimin e sektorit privat. Sipas tij, strategjia aktuale e Kosovës po e dëmton ekonominë dhe kjo mund të sjellë trazira sociale në vend.

“Në Kosovë që nga marsi i vitit 2020 nuk ka pasur asnjë përgjigje për bizneset dhe të kemi një mbyllje të tillë e të eksperimentohet me sektorin privat dhe komunitetin e biznesit, kam drojë që është strategji që po e dëmton Kosovën në aspektin ekonomik dhe po i ushqen kundërshtarët e Kosovës sepse nesër mund të kemi trazira sociale dhe është më e keqja që mund t’i ndodhë Kosovës kur po përballet me pandeminë shëndetësore, ekonomike, sociale e politike”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu shtoi se vonesat në rimëkëmbje ekonomike janë fatale. Ai shprehet këto masa nuk do ta kenë efektin e tyre pasi janë të vonuara.

Kosova sipas Gërxhaliut po përballet me pandemi të ndryshme, nga ajo shoqërore e deri tek ajo politike por që sipas tij, pandemia ekonomike është më shqetësuese pasi që do të ketë pasoja afatgjata.

“Është koha kur duhet të bëhet më tepër sesa që flitet sepse vetëm atëherë kur ndihmohet sektori privat, dhe vetëm atëherë mund të merren masa për mbyllje, por kjo lloj mbyllje përveç gjurmëve ekonomike dhe sociale, lë gjurmë negative psikologjike në masë dhe humben shpresat që shteti do t’i mbështesë bizneset. Kosova është në tri ose katër pandemi njëherësh dhe për mua është shqetësuese pandemia ekonomike që e ka kapluar Kosovën dhe masat e vonuara s’do ta kenë efektin e dëshiruar sepse në aspektin teknologjik përjetohet ndryshe. Ndihma që do t’u ofrohet bizneseve më vonë nuk do ta ketë efektin e vet sepse janë rritur kamatat, janë rritur borxhet dhe është prodhuar inflacion e kjo e godit qytetarin dhe biznesin. Dhe besoj së masat kur të merren, do të jetë e vështirë të kenë efektin.”, tha ai.

Në fund, Gërxhaliu tha se nëse vendeve të tjera iu duhen 2-3 vite për rimëkëmbje, Kosovës do t’i duhet dyfishi për shkak të neglizhencës.

E lidhur me këto masa, sot gastronomët kanë protestuar me lugë e tenxhere në Prishtinë nën slloganin “Oj Qeveri jena shterë, nuk mujna mo, merrni vesh”.

Petrit Kllokoqi nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës tha se kjo protestë është një paralajmërim që të hënën do të ketë protestë masive.

“Masat janë ashpërsuar tepër, ndërsa shpenzimet po vazhdojnë. Ne me këtë protestë vetëm e kemi paralajmëruar protesten e së hënës e cila do të jetë masive”, tha Kllokoqi për media.

Lidhur me masat e fundit ka reaguar edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila ka ngritur shqetësimet për gjendjen e sektorit privat, por gjithashtu edhe për paqartësinë e masave.

“Duke mirëkuptuar nevojën e mbrojtjes së shëndetit publik përmes ndërmarrjes së masave të duhura për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID19, Oda Ekonomike Amerikane kërkon që në të njëjtën kohë të merren në konsideratë edhe dëmet që kufizimi i veprimtarive afariste ka për ndërmarrjet e sektorit privat dhe mbijetesën e tyre. Për më tepër, vendimi i djeshëm, lë hapësirë për interpretim të dyanshëm për shkak të mosdefinimit eksplicit të termave të përfshirë në vendim, i cili po rezulton në ndëshkimin e ndërmarrjeve private, siç është rasti me termin “marketet e vogla” pa sqaruar se cilat elementet e përcaktojnë madhësinë e një ndërmarrjeje të shitjes me pakicë. Formulimet e tilla çojnë në ndëshkim të padrejtë të ndërmarrjeve private, të cilat me gjithë vështirësitë e shkaktuara nga pandemia COVID19 kanë bërë më të mirën që të vazhdojnë aktivitetin e tyre dhe të ruajnë vendet e punës, por edhe në trajtim jo të barabartë të ndërmarrjeve të ndryshme brenda sektorëve të njëjtë.”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e OAK.

Edhe kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi gjatë ditës së djeshme është shprehur se Kosova po shkon drejt kolapsit ekonomik.

“E ripërsëris: Çdo mbyllje, pa masa përkrahëse për biznesin, pa ligj për rimëkëmbjen po na dërgon drejt kolapsit.”, tha Rukiqi, ndërsa në një postim tjetër të tijin ai ka paralajmëruar edhe protestë të komunitetit të biznesit dhe të sektorit privat.

Në anën tjetër, gjatë ditës së djeshme për shkak të mbylljes, qytetarët e Kosovës ia kanë mësyrë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për ta kaluar vikendin, të dy këto vende me situatë epidemiologjike pothuajse të ngjashme me Kosovën.

Gjatë javës së ardhshme, autoritetet kompetente ekzekutive do t’i shqyrtojnë masat e reja anti-Covid por në opinion është spekuluar edhe për kufizim më të madh të orarit të lëvizjes dhe të punës së bizneseve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *