“Jam gati të përballem me këtë sfidë, askush nuk mund ta rishkruajë historinë”, fjalimi i plotë i Thaçit para Speciales në Hagë

                              Ish-presidenti Hashim Thaçi në seancë gjyqësore që po mbahet në Hagë, është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat e Prokurorisë, shkruan gazeta online Reporteri.net.Thaçi tha se ndjen keqardhje për viktimat e luftës, teksa nënvizoi se një padrejtësi nuk mund të korrigjohet nga një padrejtësi tjetër.Ish-presidenti i Kosovës tha në gjykatë se është i gatshëm të përballet edhe me këtë sfidë dhe pret të ketë sukses për familjen e vendin e tij.Thaçi ndër të tjera u shpreh i lumtur për faktin se ky proces, siç tha ai dëshmoi se nuk ka pasur trafikim organesh e as “shtëpi të verdhë” dhe se siç tha ai “Kosovës tashmë i është hequr reja e zezë”, të cilën ia kishte vënë raporti i Dick Martyt.“Bota tani e di sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ja ka vlejtur”, tha Thaçi.

Fjalimi i plotë i ish-presidentit Thaçi në Speciale:

Sot jemi duke nisur një rrugëtim së bashku drejt së vërtetës dhe drejtësisë, e vërteta dhe drejtësia janë parime të çmuara për mua, ato janë gurthemel i të gjitha demokracive dhe themeli i paqes. Më lejoni të shfrytëzoj këtë moment,  për të thënë se ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte të tmerrshme, pavarësisht nga përkatësia fetare, etnike apo politike. Viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza. Jam gati të përballem me këtë sfidë të re dhe të kem suksese për familjen dhe popullin e vendin tim. Rruga jonë drejt lirisë ishte e gjatë dhe e vështirë. Isha student në Zvicër, i strehuar politik kur u masakrua familja Jashari në vitin marsin e vitit 1998, e si shumë shqiptar nga diaspora edhe unë u ktheva për të ndihmuar vendin tim dhe iu bashkova rezistencës për lirinë e Kosovës.

Kushdo qe do ishte ishte në vendin tonë do të kishte bërë të njëjtën gjë kur rrezikohej liria. UÇK përbëhej nga njerëz të thjesht, vullnetarë që përpiqen të mbronin shtëpitë, familjen dhe vendbanimet.  Ata luftuan dhe shumë vdiqën trima e hero. Ky ishte çmimi i lirisë. Mijëra familje humben të dashurit e tyre në qindra masakra nga forcat serbe. Kundërshtarët tanë ishin ushtria, policia dhe paramilitarët serbë të kalitur me fushatat e tyre të vrasjeve në Bosnjë.Si rezistenca paqësore dhe  ajo e armatosur kishin synim: lirinë shtetësinë dhe rendin demokratik të Kosovës. Pa atë rezistencë gjithëpopullore, sot Kosova nuk do te ekzistonte. Qytetarët e Kosovës nuk donin luftë, ata ishin të përcaktuar dhe kishin vullnetin për paqe. Lufta Kosovës iu imponua. Bënë atë që do bënte çdo popull për të mbrojtur vendin e tyre, familjet e tyre. Ne Kosova ishim në anën e drejtë të historisë.

Sot jam i lumtur që populli i Kosovës jeton një Kosove të lirë, të pavarur me të drejta të barabarta për qytetarët e saj ku sundon ligji. Kosova pra, është rrëfim suksesi.Gjatë këtij procesi gjyqësor ne do të udhëtojmë prapa në kohë tek ngjarjet që kanë ndodhur 25 vite më parë. U kërkoj të gjithëve të keni parasysh se mbamendja 25 vite më parë është e mjegulluar, realiteti po ngatërrohet me opinione e agjenda të ndryshme. Spekulimet po shndërrohen në fakte. Emocionet, motivet e mllefet politike të cilitdo akter politik nuk duhet të kuptohen si fakte në këtë sallë. Kjo vlen edhe për disa botime e opinione të pasluftës të ekzagjëruara apo të përshatura të akterëve të ndryshëm të luftës. Si në çdo shoqëri demokratike, ashtu edhe tek ne, jo bashkëçdoluftëtar ka qenë edhe bashkudhëtar e bashkëmendimtar në proceset politike të pasluftës. Në raste jo të pakta egoizmi, ambicia, interesat politike tejkaloi të vërtetën dhe realitetin për rrëfimin e UÇK-së dhe vet historisë së Kosovës. Njerëzit mbajnë mend atë që duan të besojnë se është e vërtetë, por ne kemi një dëshmi historike dhe faktike të regjistruar në atë kohë. Duhet të kthehemi tek ato dëshmi sepse aty do të zbulohet e vërteta.Më vjen keq që nuk do të kemi mundësi t’i dëgjojmë në këtë gjykatë dëshmitë e sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, sekretarit të jashtëm, Robin Cook, senatorit Robert Dolle, ambasadorit Richard Holbrooke, shefit të parë të UNMIK-ut në Kosovë, të presidentit Ibrahim Rugova, të profesor Fehmi Aganit, të Adem Demaçit dhe të liderëve të tjerë. Ata do të kishin dëshmuar në emrin tim për atë çfarë kam thënë dhe bërë gjatë asaj kohe shumë të rëndësishme në historinë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.Ata do të kishin dëshmuar në emrin tim për atë që kam thënë dhe bërë gjatë asaj kohe shumë të rëndësishme në historinë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.Jam i lumtur që shumë të tjerë si ata janë të gatshëm të dëshmojnë për pafajësinë time. Ne besuam në veten tonë, e vendosmërinë për të qenë të lirë po e dinimin se pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti SHBA-ve kurrë nuk do të mund të ishim të lirë e të pavarur.Kur raporti i Dick Martyt para 13 vjetësh mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafikim organesh nga UÇK-ja dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia ndërkombëtare më tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafik organesh dhe se shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, edhe populli i Kosovës, gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Kjo sakrificë ia ka vlejtur.

Unë pres që të shfajësohem nga çdo akuzë tjetër ndaj meje në përfundim të këtij procesi.

Unë besoj te Tribunali i Hagës, UNMIK-u, EULEX-i dhe Dhomat e Specializuara. Unë jam intervistuar nga këta mekanizma, qoftë në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarit. Çdo bashkëpunim i imi me të gjithë këta akterë ndërkombëtarë ka qenë në interes të drejtësisë dhe plotësisht transparent, qoftë në Prishtinë, qoftë në Hagë. Gjithçka tjetër që thuhet është e paqëndrueshme. Prandaj, askush nuk duhet dhe nuk mund ta shkruajë historinë, ky është çmimi i lirisë. Unë besoj në paqe, të vërtetën, pajtim dhe drejtësi. Unë besoj që ky proces do të jetë i drejtë, transparent dhe i shpejtë.