Jasharaj: Greva mund të rikthehet, qeveria të mbajë fjalën për ligjin e pagave  

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka adresuar kritika për qeverinë në pushtet. Sipas tij, përfundimi i gjysmëvjetorit të parë shkollor është në mjegull, derisa kërkon dialog nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në mënyrë që të qartësohet se kur do të mbyllet saktë gjysmëvjetori i parë.Jasharaj nuk e ka mohuar mundësinë për rikthimin e grevës, pasi sipas tij, ajo nuk është e mbyllur. Ai tha se nëse qeveria nuk i mban fjalët për ligjin e pagave do të bisedojnë me anëtarësinë se si duhet të veprojnë.Më 22 dhjetor Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare, për të shqyrtuar në lexim të dytë Projektligjin për pagat në sektorin publik. SBASHK-u ka kërkuar që të merren parasysh kërkesat e tyre.“Kur pezullohet greva nuk është e mbyllur dhe si e tillë mbetet si mundësi të rikthehet. Ne edhe opinionit ja kemi bërë të ditur se janari është muaji i cili do të vendoset ku tutje. Lajmet që i marrim e që nuk janë zyrtare për ligjin e pagave, sepse ishte edhe ky ligj në të kaluarën, jo vetëm SBASHK-u, por veçmas SBASHK-u dhe sindikatat e tjera i dërgoi në grevë…Më të zgjaturit greva, Nagavci dhe të tjerët nga qeveria, mbase për të ndikuar te grevistët nisën të flasin fjalë të mëdha për ligjin e pagave. Unë besoj se greva ka ndikuar që qeveria ta shpejtojë procesin, ngase fillimisht kishte premtuar në mars, pastaj qershor. Urojmë ky dhjetori të na sjell edhe një lajm të gëzuar, edhe leximin e dytë dhe votimin, dhe uroj që Nagavci dhe deputetët, sidomos të pozitës, ta mbajnë fjalën sepse ata publikisht kanë premtuar se do të hiqet afati tetë muaj pas votimit në gazetën zyrtare, gjitha këto janë nëse ndodhin e janari do të na tregojë… Po u bë një ligj me këto paga që janë, nuk na duhet asgjë, pra çdo gjë varet nga qeveria dhe ne janarin do ta presim me entuziazëm, por edhe me atë sfidën që nëse nuk ndodhin gjërat si duhen”, theksoi Jasharaj për KosovaPress.Sa i përket përfundimit të gjysmëvjetorit të parë shkollor, kryetari i SBASHK-ut ka thënë se ende nuk dihet sakt.“Ka mbetur në mjegull edhe çështja e përfundimit të gjysmëvjetorit të parë, ngase Nagavci nuk ka pasur takime, dhe në qoftë se Këshilli i Prindërve insiston për një pushim që atyre do t’ju konvenojë dhe mendojnë se është i drejtë, ne pavarësisht se me ligjet ekzistuese kolegët janë të obliguar të paraqitën në shkollë për t’u përgatitur për gjysmëvjetorin e dytë, por edhe nëse janë të gjithë në shkollë, pavarësisht kësaj nëse mungojnë nxënësit nuk mund të thuhet se është mbajtur procesi mësimor dhe pushimi e ditët që Nagavci po i konsideron të punës mund të dështojnë. Pra, kisha këshilluar dhe lutur Nagavcin që të ulet edhe më Këshillin e Prindërve dhe SBASHK-un dhe e të tjerët në mënyrë që të saktësohet dhe të pajtohen të gjithë për arsyen e vetme që qytetarët e Kosovës ta dinë saktë kur mbyllet gjysmëvjetori i parë, cili është pushimi dhe a do të ketë pushim”, ka deklaruar Jasharaj për Kosovapress.Sipas Jasharajt, shkas tjetër për kërkesat e SBASHK-ut është edhe mungesa e dialogut të mirëfilltë nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.“Edhe këtyre muajve pas pezullimit të grevës qeveria ende heziton të bëjë dialog të mirëfilltë. Kam kritika të mëdha për Nagavcin, pasi që nga pezullimi i grevës por edhe gjatë grevës, ende nuk ka gjetur kohë të takohemi edhe pse i kemi bërë thirrje e shkresë zyrtare të bisedojmë për çështjet që lidhen me arsim dhe asnjëherë nuk e ka pa të udhës që të takohet dhe ky barrikadim nuk është i drejtë. Kurdo që mungon dialogu, shtohen tensionet dhe krijohen pastaj kërkesa në terren çka tutje dhe fatkeqësisht po vinë kërkesat edhe për grevë”, ka thënë Jasharaj.