Jasharaj i shkruan letër Konjufcës: Na duhet një ekip mjekësh për shëndetin mental – kontrollës t’i shtrohen Kryeministri me Qeverinë, pastaj unë me sindikalistët 
Jasharaj i shkruan letër Konjufcës: Na duhet një ekip mjekësh për shëndetin mental – kontrollës t’i shtrohen Kryeministri me Qeverinë, pastaj unë me sindikalistët
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj përmes një letre drejtuar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca ka kërkuar nga ky i fundit që të kërkojë nga miqtë ndërkombëtarë “një ekip mjekësh për shëndetin mental sepse kjo është nevojë parësore për Kosovën”.“Të lutem bëje ligjore dhe në këtë kontroll duhet të shtrohen në emër të ardhmërisë së Kosovës Kryeministri me tërë Qeverinë, pastaj unë si kryetar i SBASHK-ut me gjithë veprimtarët sindikalë , disa nga deputetët që partia në pushtet i zgjedh , disa nga analistët, shumë nga ata që fshehin emrin dhe fytyrën, që nuk e kanë në rrjete sociale dhe edhe të tjerë që paraqiten vullnetar”, ka thënë Jasharaj.Më tej Jasharaj në këtë letër shkruan se Kosova duhet të shlirohet nga njerëz që i gëzohen burgimit të çlirimtarëve, fyerjes së mësuesve të viteve 90-ta etj. Kryetar na duhet një ekip i besuar i mjekëve të shëndetit mental dhe ata që dalin keq le të shtrohen në spitale e të shpëtojë kjo Kosova e larë me gjak e me djersë”, shkruan Jasharaj.
Letra e plotë pa ndërhyrje:
I nderuari Konjufca na duhet një ekip i pavarur për shëndetin mental
I nderuari kryetar i Parlamentit të Kosovës nuk të jam drejtuar me këtë ide se nuk kam dashur të ta prish pozitën në parti. Tani kur lexova se je i madh në LVV dhe në Parlament , po se po, të drejtohem me një kërkesë shumë njerëzore që ta shpëtosh Kosovën. Kërko nga miqtë ndërkombëtarë një ekip mjekësh për shëndetin mental sepse kjo është nevojë parësore për Kosovën . Të lutem bëje ligjore dhe në këtë kontroll duhet të shtrohen në emër të ardhmërisë së Kosovës Kryeministri me tërë Qeverinë, pastaj unë si kryetar i SBASHK-ut me gjithë veprimtarët sindikalë , disa nga deputetët , që partia në pushtet i zgjedh , disa nga analistët, shumë nga ata që fshehin emrin dhe fytyrën, që nuk e kanë në rrjete sociale dhe edhe të tjerë që paraqiten vullnetar.
I nderuar kryetar i Parlamentit në Kosovë këtë kërkesë po ta bëj në emër të ardhmërinë së Kosovës sepse diçka nuk është në rregull. Te ne i gëzohemi pse i kemi çlirimtarët në burg. I gëzohemi se po arrijmë të vëmë në sprova sindikatat, po gëzohemi kush shajmë e fyejmë figurën e mësuesit. Gëzohemi pse nuk ka as edhe një debat për krimet që ka bërë pushtuesi nëpër vite. Gëzohemi që dikush shanë e fyen mësuesin e viteve të 90-ta. Gëzohemi që “analistë” dalin e thonë se paskemi 76 % të nxënësve analfabetë. Gëzohemi e thërrasin në studio njerëz “analistë” që thonë se atë që kanë mësuar e kanë mësuar në fakultet, që do më thënë shkronjat i paskan mësuar në fakultet. Gëzohemi kur dikush i madh thotë se Kosova na qenka vend i i krimit që duhet ç’kapur e pastaj për ta kapur e ngulfatur.
Kryetar na duhet një ekip i besuar i mjekëve të shëndetit mental dhe ata që dalin keq le të shtrohen në spitale e të shpëtojë kjo Kosova e larë me gjak e me djersë. Në gjithë botën shikuar, vetëm te ne shahen e fyhen vlerat e luftës, vlerat e arsimit shqip dhe demokracia e nuk ndalen deklarimet se duhet krijuar taborre nëpër lagje për të luftuar e për t’ua nxirë jetën atyre që mendojnë ndryshe nga pushtetmbajtësit e përkohshëm.
I nderuar kryetar Konjufca , jo sa tani, por kështu në pamje fatkeqe ishte edhe koha e pasluftës kur njerëzit ndaheshin ne “ne” dhe “ata “ , por ajo kohë iku. Mos lejo të kthehet edhe tani se po i shkon uji në mulli të armikut. Në shtetin, që ti je kryetar i parlamentit nuk është mirë që Elvisat, Yllat, Dibranat, Ramabajat e do individë pa as edhe një element të njerëzores nëpër rrjete sociale të krijojnë shtet të shumicës momentale dhe të pakicës. Kryetar demokracia kështu ndjehet keq dhe e sfiduar.