Jashari: S’jemi pjesë e asnjë partie politike, do të qëndrojmë deri të marrim përgjigje zyrtare
Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka hedhur poshtë akuzat se veteranët pjesëmarrës në protestë janë anëtarë të partive politike, raporton Ekonomia Online.
Jashari ka thënë se protesta po bëhet për t’ia kthyer dinjitetin veteranëve dhe se nuk ka të bëjë me rreshtim në ndonjë parti politike.
Me këtë rast, ai ka kërkuar nga deputetët që ta ndryshojnë Projektligjin që i lë jashtë rritjes së pagës minimale, veteranët.
“Mjaft kemi dështuar dhe ne nuk jemi anëtarë të asnjë partie politike dhe ne i përfaqësojmë kategoritë më të rëndësishme, vlerat e institucionit më të lartë, luftën e UÇK-së dhe u bëjë thirrje deputetëve që janë të rreshtuar në parti politike që të kenë kujdes me vlerat e luftës dhe deputetët kanë obligim moral, njerëzor dhe kombëtar të japin përgjigje dhe ta kryejnë punën e tyre në institucionin më të lartë Parlamentin e Kosovës karshi të gjithë qytetarëve, në këtë rast veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve. Ne do të qëndrojmë këtu deri të marrim përgjigje zyrtare”, tha ai.