“Je e paditur dhe s’merr vesh në diplomaci”, deputetja e PDK-së, Gërvallës: Albini të ka përjashtuar nga kabineti
Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet për punën dy vjeçare të Qeverisë Kurti. Deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi i ka reaguar në një moment ministres Donika Gërvalla duke i thënë se atë Kryeministri Albin Kurti e ka përjashtuar atë nga kabineti i tij, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.Musliu Shoshi gjithashtu i tha ministres Gërvalla se përveç se merret me punët brenda Ministrisë që drejton, nuk ka asgjë tjetër.“Zonja Gërvalla më vjen keq që s’je pjesë e kësaj mrekullie që ka ndodhë. Sepse po shihet që Albini të ka përjashtua nga kabineti qeveritar. Kompetencat po shihet që i ke dorëzua te zv.ministri Kreshniku. Ti përveç që merresh me punët e brendshme të MPJ-së asgjë tjetër s’ke. Edhe ato punë me të cilat merresh brenda ministrisë i ke të jashtëligjshme. Instancat gjyqësore çdo ditë po të kthejnë vendime që je në kundërshtim me ligjin”, ka thënë deputetja Musliu-Shoshi. Tutje, deputetja e PDK-së e quajti Gërvallen të paditur.“Në krye të diplomacisë je ti që je jashtëzakonisht e paditur dhe s’merr erë në këtë punë. Përpos përçarjes brenda MPJ s’ke bërë bash asgjë. Kosova s’ka shërbim të jashtëm, as lobim, e njohjet e reja as në shprehje nuk vijnë. Anëtarësimet në institucionet ndërkombëtare janë vetëm në mënyrë dëshirore”, ka thënë deputetja e PDK-së./Reporteri.net/