Kadri Veseli kujton protestat e vitit 1968: Këto demonstrata dëshmuan se të drejtat realizohen vetëm duke ngritur krye
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar 6 tetorin e vitit 1968 kur nisën demonstratat e popullit shqiptar për liri.
Veseli e ka quajtur vit të kthesës këtë datë, pasi shënoi kthesën vendimtare për demonstratën e parë masive që nisi në Prizren.
“6 Tetori i vitit 1968 është një ndër datat më të lavdishme të historisë së popullit tonë duke shënuar një pikë kthese vendimtare me demonstratën e parë masive që nisi në Prizren. Ajo u pasua nga demonstratat e tjera të shqiptarëve anembanë ish-Jugosllavisë të cilat ngritën zërin për Republikë, për përdorimin e lirë të flamurit kombëtar dhe për universitet”, ka shkruar Veseli në rrjetin social Facebook.
Sipas Veselit, këto demonstrata bënë jehonë të madhe brenda e jashtë vendit duke rikthyer kauzën kombëtare në qendër të vëmendjes si dhe duke tronditur rëndë themelet e regjimit komunist jugosllav për herë të parë prej Luftës së Dytë Botërore.
“Ne sot kujtojmë me nderim atë kryengritje të popullit tonë, që ndonëse u shtyp brutalisht, gjithësesi pati ndikim të madh sepse detyroi Beogradin që në shkurt 1969 të miratonte Ligjin Kushtetues për Krahinën Autonome të Kosovës si dhe në nëntor ligjin për themelimin e Universitetit të Prishtinës. Protestat e atij viti dëshmuan se të drejtat realizohen vetëm duke ngritur krye”, ka theksuar ai.
Kreu i PDK-së, ka shtuar se po ashtu treguan se dëshira e popullit shqiptar për liri nuk është shuar asnjëherë dhe se përpjekjet për të drejtat kombëtare kanë qenë të parreshtura deri sa kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.