“Kaluan ditët e përkëdheljeve”, Joseph: SHBA-ja s’do t’i tolerojë më manipulimet masive të Vuçiqit
Edward P. Joseph, ligjërues në universitetin “Johns Hopkins” në Washington dhe ish-zëvendësshef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka thënë se sanksionet amerikane ndaj kreut të BIA-s, Aleksandar Vulin, janë një sinjal se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të tolerojnë më “manipulime masive të presidentit serb Aleksandar Vuçiq”.Sipas Josephit, një ekspert i politikës së jashtme amerikane, i cili shërbeu në Ballkan për gati një dekadë, duke përfshirë edhe vitet e luftës, vendimi për vendosjen e sanksioneve ndaj Vulinit ishte i vonuar, megjithëse, siç thotë ai, është një hap i jashtëzakonshëm që dërgon një mesazh.“Kaluan ditët e përkëdheljeve të pafundme ndaj Vuçiqit, tani fillojnë ditët e përgjegjësisë”, u shpreh Joseph në një intervistë për gazetën serbe “Nova”.“Unë kam vite që kritikoj qëndrimin e SHBA-së ndaj Vuçiqit. Dhe tani qeveria amerikane akuzon zyrtarisht një bashkëpunëtor shumë të ngushtë të presidentit Vuçiq për një sërë të këqijash: tregti droge, ndihmë në tregtinë e armëve, korrupsion dhe, në tri mënyrat e përmendura, forcimin e pozitës së Rusisë. Së treti, besoj se vendimi për Vulinin nuk është vetëm mesazh për presidentin Vuçiq, besoj se është mesazh brenda vetë qeverisë amerikane. Unë besoj se vendimi për Vulinin pasqyron ndjenjën në nivele shumë të larta të administratës së Biden, sekretarit Blinken dhe kolegëve në Shtëpinë e Bardhë – se ata nuk do të tolerojnë më manipulimin masiv nga Vuçiqi…. Prandaj, besoj se vendimi për sanksionimin e Vulinit dërgon këtë mesazh: ‘Kanë kaluar ditët e përkëdheljeve të pafundme ndaj gënjeshtrave dhe sharjeve masive të Vuçiqit, tani fillojnë ditët e përgjegjësisë’. Sigurisht që bashkëpunimi serbo-amerikan do të vazhdojë, por tani me përgjegjësi. Shpresoj se ambasadori Hill do ta pranojë dhe promovojë këtë qasje të re, më realiste ndaj bashkëpunimit serbo-amerikan. Hill është një diplomat me shumë përvojë. Ai thjesht duhet të pranojë se qasja e vjetër, me pak ose aspak përgjegjësi as për Vulin, as për Vuçiqin, është një pengesë për bashkëpunimin serbo-amerikan”, u shpreh Joseph. Tutje, ai në këtë intervistë ka thënë se më në fund SHBA-ja po e sheh fytyrën e vërtetë të Vuçiqit. “Siç e kam thënë tashmë, mendoj se ka qëndrime të ndryshme në qeverinë amerikane dhe se po rritet ndërgjegjësimi për pozicionin që unë e kam mbrojtur prej kohësh. Presidenti Vuçiq po manipulon SHBA-në dhe BE-në. Unë besoj se faktorë të rëndësishëm në Uashington po zgjohen për shkak të kësaj, edhe pse me vonesë. Mendoj se bisedimet janë intensifikuar kohët e fundit në administratën e Bidenit, veçanërisht pas krizës së fundit në Kosovë ku kryeministri Kurti u etiketua si fajtor dhe ku zëra të rëndësishëm në Uashington vunë në dyshim fajin edhe në Beograd. Tensionet tërhoqën vëmendjen ndaj politikës së SHBA-së ndaj Vuçiqit dhe ngritën pyetje në nivele të larta. Mendoj se e gjithë kjo tregon se ka kufij për atë që qeveria serbe, apo çdo qeveri, mund të arrijë duke lobuar në Uashington. Pyetja juaj humbet pikën më të rëndësishme: mënyra më e mirë për të treguar dhe vërtetuar realitetin e regjimit të Vuçiqit është përmes zërit kolektiv të popullit”, theksoi ai.
Joseph ka dhënë deklarata edhe në lidhje mënyrën se si ka reaguar Vuçiqi për sanksionimin e Vullinit.
“Një politikan i zgjuar do të distancohej pak nga Vulini. Në vend të kësaj, Vuçiqi bëri të kundërtën. Ambasada Amerikane nuk mund ta injorojë. Zyrtarët amerikanë duhet të vazhdojnë t’i bëjnë presion Vuçiqit për të hequr qafe Vulinin, siç tha presidenti serb se do të bënte”, tha Joseph.