Kasam Muhameti: Rasti i arrestimit të Bedri Halimit, duhet të jetë këshillë për ne, se jo të gjithë ata që arrestohen për ndonjë çështje janë edhe fajtorë
PËRVEÇ MËNYRËS SË ARRESTIMIT TË SHËMTUAR, U BË EDHE MARKETING ME KOLEKSION TË SHUMTË FOTOSH, SI DHE PROPAGANDË PORTALESH E KOMENTESH TË PABAZA NDAJ PERSONALITETIT – AKTIVISTIT TË ÇËSHTJES KOMBËTARE, BEDRI HALIMI!?
Duke e ditur veprimtatrinë e Bedri Halimit, që nga rinia e hershme e tij, e deri në përfundim të luftës së Kosovës (1981 – 1999), i cili pikërisht për këmbëngultësinë e tij për shtetbërjen e Kosovës; ka vuajtur disa vite nëpër burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë…
Edhe pas daljes nga burgu ishte halë në sy të serbëve dhe përcilleshin vazhdimisht lëvizjet e tij, madje për pak gjë ka shpëtuar edhe nga vrasja dhe arrestimi i sërishëm, por ka arritur mos t’ju bjerë më në dorë – më 1999…
Personalisht, aspak s’jam ndie mirë. Shumë u pata shqetësuar dhe mërzitur, madje s’mund ta bindja veten se është arrestuar Bedri Halimi, dhe s’do të mund ta shihja plot 3 muaj!
Duhet ta dimë fort mirë, se të tillët si Bedriu, në këtë mënyrë, i kemi lënduar dhe i lëndojmë rëndë në shpirt. Më rëndë se sa atëherë kur është dergjur nëpër burgjet serbe…
Ky, pra, në radhë të parë qe ‘bakshish’ i organeve të shtetit të tij – Republikës së Kosovës, e që vetë Bedriu (e rithem) ka sakrifikuar shumë për themelimin e këtyre organeve.
Nuk e di se si e patën arrestuar serbët gjatë viteve të 1980-ta dhe të 1990-ta, dhe a ia kanë bërë ndonjë foto?!
Por, si do të ndihen edhe ata që janë shprehur me nxitim negativisht ndaj tij.
Rasti i arrestimit dhe (para)burgimit të Bedri Halimit, ose i ndonjë tjetri, duhet të jetë mësim dhe këshillë për ne, se jo të gjithë ata që arrestohen për ndonjë çështje janë edhe fajtorë.
Siç ishim thellësisht të bindur se me këtë lloj arrestimi Bedriu është i pafajshëm, ashtu edhe ndodhi, dhe ai u lirua. Prandaj, ata që e kanë konsideruar fajtor atë, dhe kanë shkruar publikisht, duke përdorur shprehje me karakter sharës, fyres e ofendues, duhet të pendohen dhe e kanë borxh që të kërkojnë falje publike, por edhe personalisht Bedri Halimit, në të kundërtën, ata e kanë ngarkuar veten e tyre me gjynahe edhe para Zotit të Madhëruar.
Marri e madhe, çfarë bëjnë ndonjëherë disa njerëz me vetëdije, por pa pasur njohuri për atë që bëjnë!/Infopress/
_________
P.S.
Përveç këtyre fotove që janë bërë me rastin e arrestimit të Bedri Halimit, ndoshta ka edhe të tjera, por u mërzita edhe vetë duke kërkuar foto në internet, ngase mjerisht kishte shumë.