Katër djemtë ia vranë në luftë, rrëfimi i 87-vjeçarit nga Peja: Prej 22 vitesh askush nuk ma hapi derën

0

                               Hajrulla Hysenit nga Zahaqi i Pejës, serbët ia vranë katër djemtë e tij dhe dy të vëllait në luftën e vitit 1999. 87-vjeçari që asnjëherë më parë nuk është shprehur para mediave thotë se nuk ka marrë asnjë mbështetje shteti për të rritur 15 nipërit e mbesat e tij.Hyseni i cili para disa viteve ka humbur edhe bashkëshorten, në një rrëfim për RTV Dukagjinin thotë se askush nuk po i hapë derën.“Prej 22 vitesh askush nuk ma ka hapur këtë derë për të më pyetur se çfarë halli ke. Kam mbetur me 15 fëmijë të vegjël e nuse të reja, e vet i plakur. Kemi jetuar si kemi mundur e askush nuk  na ka ofruar ndonjë vend pune”.Ai rrëfen histerinë tragjike të familjes që i ndodhi me 15 maj të vitit 1999.“Na kanë ndalur të fundit derisa po shkonim në Drenicë. Na zbritën djemtë nga kamioni dhe i mbështetën për muri. Erdhi dikush me maska dhe i mori djemtë”.Hajrullahun nuk e lejuan të shkojë në Shqipëri dhe bashkë me gruan për shtatë javë ishte fshehur nga ushtria serbe maleve e fushave.Ai nuk gjente qetësi derisa të mësonte për fatin e djemve të tij.Por në fund e kuptoi se ata kishin përfunduar në një kanal.Prej gjashtëmbëdhjetë meshkujve që i kishin marrë serbët vetëm njëri kishte arritur të mbijetojë.Por i moshuari thotë se as nga ai nuk e kuptoi kurrë të vërtetën e asaj ngjarje makabre. “Djemtë i kishin futur në kanal të servisit të autobusëve. Kur ne jemi futur në atë servis, kemi dëgjuar të shtënat dhe jemi larguar fushave. Më pas atij servisi i është vënë zjarri dhe nuk dimë asgjë për djemtë se ku i kanë dërgua”.“Nga 16 sa i kanë marrë serbët, njëri kishte shpëtuar pasi kishte ikur nga dritarja e banjës, por kurrë nuk ka treguar ku i kanë dërguar të tjerët. Sot ai më duket jeton në Suedi. Disa thonë që atij i ka rënë të fikët kur kanë filluar të shtënat dhe më pas të vdekurit e kanë zënë poshtë dhe ka shpëtuar”.Përjetimet pas luftës ishin mjaft të mëdha, por ai si kryefamiljar ka përballuar jetën.“Kam qenë i fortë si guri. Lot askush nuk më ka parë por zemra ime e di sa kam vuajtur. Vetëm ai moment kur i kam parë të vrarë në kanal, vetëm shpirti im ma di. Çfarë djem i kam pasur. Të gjithë të punësuar”, tregon më tej historinë trishtuese të familjes 87-vjeçari nga Peja./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *