KE SE HA LUFTA, E HA PAQA-Nga :Kumrie Avdyl SHALA

(Ngjarje e vërtetë – rrëfim për heroinën e heshtur “Era”) Në një fshat të vogël dardan, ku çdo gur mban kujtime lufte, jeton një grua që e thërrasin “Era”. Jo më kot e ka atë emër — sepse ashtu ka qenë gjithmonë: e lehtë si fryma, por e fortë si stuhia. E rritur në një familje patriotike, ku fjala e burrave në odë kishte peshë më shumë se ligji, Era që fëmijë mësoi se liria nuk dhurohet, por fitohet. Në shtëpinë e babait të saj mblidheshin burra të urtë e trima, që flisnin për tokën, flamurin dhe sakrificën. Ajo i dëgjonte në heshtje, por çdo fjalë ia gdhendte në shpirt. Në shkollë, Era nuk pranonte asnjë padrejtësi. Mësuesja e gjuhës serbe kërkoi një ditë që nxënësit të shkruanin një hartim me temën: “Si i kalova pushimet verore.” Era shkroi vetëm tri rreshta:
“Pushimet verore i kalova duke bërë ushtrime fizike, që të formësoj trupin tim.”
Në ato fjalë, mësuesja pa një mesazh: përgatitje për rezistencë, për liri. U zemërua dhe deshi ta dëbonte nga ora, por Era nuk u përkul. “Shkina e shkaut!” ia ktheu me guxim, dhe u largua nga klasa vetëm për të mos dëmtuar shoqet e saj. Në fund, një profesor shqiptar e ndihmoi që të kalonte vitin, duke i thënë asaj me admirim:
“Ti je e pathyeshme, vajzë.”
Në vitet e zymta ’89–’90, Era ishte në rreshtat e parë të demonstratave. Me flamurin kuqezi në dorë, kërkonte liri për Kosovën, barazi për shqiptarët dhe drejtësi për minatorët që u ngritën kundër shtypjes. Ajo nuk njihte frikë. E rrahën, e kërcënuan, e ndoqën, por ajo vazhdoi. Në zemrën e saj kishte një forcë që nuk e ndalte askush. Kur filloi lufta, Era iu bashkua radhëve të UÇK-së me një pushkë të vjetër gjermane, trashëgimi familjare. Ajo e dinte se nuk kishte rëndësi arma, por zemra që e mban. Ishte në çdo detyrë, në çdo strehë ku duhej ndihmë. E përkushtuar, e buzëqeshur, dhe me një shpresë që nuk shuhej kurrë. Për bashkëluftëtarët, ajo ishte si drita pas stuhisë. Lufta kaloi, por plagët mbetën. Pas shumë vitesh në paqe, Era u përball me një tjetër betejë, këtë herë jo me armë, por me sëmundjen. Kanceri iu bë armiku i ri, por ajo nuk u dorëzua. Asnjëherë. Sot, edhe pse e lodhur nga trajtimet e gjata, ajo nuk ankohet. Kur dikush i thotë “je lodhur shumë”, ajo buzëqesh dhe thotë:
“E di… por unë jam mësuar me beteja. Ke se ha lufta, e ha paqa.”
Fjalët e saj janë të rënda si gurët e varreve të dëshmorëve, por edhe të lehta si fryma e shpresës. Ajo është dëshmi e gjallë se heroizmi nuk përfundon me luftën. Se trimëria nuk është vetëm të mbash pushkën, por edhe të përballesh me dhimbjen pa humbur dinjitetin. Era jeton ende. E heshtur, e thjeshtë, por e madhërishme në shpirt. Një femër shqiptare që i bëri ballë shekujve, luftrave, padrejtësive dhe sot, sëmundjes. Një Erë që s’mund ta ndalë as lufta, as paqa, as koha. Era ishte ndër ato vajza që lindin rrallë. E pathyeshme në kohë të errëta, krenare edhe në dritën e munguar. Në luftë qëndroi e fortë si guri i vendlindjes, me shpirt të zjarrtë e sy që digjnin për drejtësi. E njohin shumë, e admirojnë të gjithë që e kanë parë duke punuar për atdheun e njerëzit pa bërë zhurmë, pa kërkuar shpërblim. Pas luftës, kur të gjithë prisnin qetësi, jeta i solli një sfidë tjetër, më të vështirën, më tinzaren: sëmundjen e rëndë. Por ajo, si gjithmonë, nuk deshi t’i bëjë të tjerët të vuajnë me të. Nuk u ankua, nuk kërkoi mëshirë. Punon ende me përkushtim, me një intensitet që i habit të gjithë. Përfundon veprat e saj, sikur çdo ditë të ishte dhuratë nga Zoti. Edhe pse e di se në trup ka një armik të padukshëm, ajo nuk e ka lejuar asnjë njeri ta shohë të thyer. Në fytyrën e saj shfaqet po ajo dritë e dikurshme, në fjalët e saj ndjehet urtësia e një shpirti që e pranon gjithçka me paqe. Ajo thotë:
“Zoti më dha forcën të përballoj luftën, e më dha dashurinë që të mos e urrej jetën as tani.”
Tashmë, edhe pse sëmundja ka filluar të duket, Era nuk kërkon keqardhje. Ajo e di të vërtetën, e pranon, por nuk do askënd ta shqetësojë. Rron me dinjitet, siç ka jetuar gjithmonë, me shpirt të pastër dhe me besim të madh te Zoti. Në heshtje, ajo po lë pas gjurmë të bukura: libra, punë, vepra, frymëzim. Dhe kush e njeh, e di se ende është ajo Era e pathyeshme, vetëm se tani betejën e zhvillon brenda vetes.
“Ke se ha lufta, e ha paqa,” , përsërit ndonjëherë me buzëqeshje të lehtë,
por në sytë e saj shihet një dritë që nuk shuhet./QendraPress/