Kërkohet që Simmons të ftohet si dëshmitar në Speciale, raportimi i tij për EULEX-in në Kuvend cilësohet vetëm informues

0

                           Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, do të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës të hënën e 12 korrikut për pretendimet e tij për korrupsion dhe keqpërdorime në këtë mision të Bashkimit Evropian në Kosovë, njofton Insajderi.Avokati Tomë Gashi tha se raportimi i Simmons në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, do të jetë gjithëpërfshirës dhe informues. Gashi e cilëson këtë raportim të rëndësishëm për Gjykatën Speciale, duke shtuar se avokatët e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë, duhet ta ftojnë Simmons në cilësinë e dëshmitarit.“Më 12 korrik gjyqtari Malcolm Simmons, i cili në periudha kohore ka qenë edhe kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, do të raportojë në Kuvendin e Kosovës me kërkesë të Komisionit përkatës, mendoj se do të jep një raport gjithëpërfshirës dhe do të jetë raport informues përmes Kuvendit të Kosovës, qytetarët do të mësojnë se misioni i EULEX s’ka qenë aq i mirë sa që dikush ka pretenduar”, ka thënë Gashi për EO.“Mendoj që ai duhet t’i thotë shkeljet kryesore që janë bërë të profilit të lartë dhe shkeljet më të larta ligjore sa kam unë njohuri, janë bërë në rastin e komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së z. Sylejman Selimit, të cilën e kam mbrojtur unë, së bashku me dy avokatë amerikanë dhe ka qenë rasti ‘Drenica’ që përveç tij janë gjetur fajtor thuajse të gjithë ushtarët e UÇK-së së bashku me komandantët e tyre, dhe janë gjykuar rreth 16 pjesëtarë të UÇK-së, për çështje për të cilat ne mendojmë që s’ka pasur nevojë as të ngritët akuza e leje më të ketë aktgjykim”.“Raporti i gjyqtarit do të jetë shumë i rëndësishëm posaçërisht për Gjykatën Speciale dhe mendoj që secili avokat që ka klientë atje do të duhet ta ftojë në cilësinë e dëshmitarit Simmons, që të jep raport për padrejtësisë dhe shkeljet ligjore që janë bërë në mision e EULEX-it”.Ndërsa, Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka deklaruar se raportimi i ish-gjyqtarit Simmons ka për qëllim vetëm informimin pasi sipas tij, bazuar në marrëveshjen e Kosovës me BE-në sa i takon EULEX-it, prokurorë e gjyqtarë të këtij misioni kanë imunitet.“E para si misioni i UNIMIK dhe misioni i EULEX në Kosovë kanë pasur imunitet të plotë në kuadër të hetimit, gjykimit të zyrtarëve të EULEX-it bie ne kundërshtim me ligjin. Përjashtimisht kjo ka mundur të revokohet nëse për një rast të caktuar Kosova fillon hetimet ndaj këtyre personave, por që pastaj imunitetin duhet marr nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Bruksel. Sidoqoftë në rastin konkret nëse flasim në raportimin e rastit Simmons dhe ato që i ka thënë deri më tani në publik mund të themi se këto pretendime janë hetuar nga ana e zyrës së auditimit brenda BE-së dhe kanë dal me një raport para disa viteve ku janë dhënë rekomandimet për misionin e EULEX-it në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e njëjta”.Tutje ai thotë se Kosova nuk ka fuqi të formojë një komision hetimor për këtë rast, pasi po ashtu një veprim i tillë mund të ketë pasoja në raportet me BE-në.“Dyshoj që Kosova do të duhej të formonte komision hetimor për këtë rast, pasi kemi të bëjmë për një çështje shumë delikate, kemi të bëjmë një ish-gjyqtar të EULEX-it, kemi të bëjmë me një marrëveshje mes Kosovës edhe Bashkimit Evropian për misionin e EULEX-it, andaj çdo raportim i Simmons mund ta konsiderojmë të mirë, pasi Kosova mund të marr praktikat e mira apo të këqija të misionit të EULEX-it dhe gjatë kohës kur kemi të bëjmë me plotësim ndryshimin e ligjeve për gjyqësorin njëfarë mënyrë të mos përsërisim gabime të tilla. Sidoqoftë një hetim parlamentar nga ana e Kuvendit të Kosovës do të kishte pasoja në kuptim të raporteve Kosovë-BE”.“Më shumë është me pas informata për punën e EULEX-it në Kosovë, por qoftë në aspektin penal apo civil, e administrativ, thjesht Kosova është e pafuqishme dhe s’mund të marr asnjë masë ndaj zyrtarëve të BE-së. Vlerë e shtuar është t’i marrim praktikat e mira, mirëpo në aspektin e zbulimit diçka të re nuk do të ndodhë, pasi raporti i auditimi i BE-së i paraqet të gjitha”, tha Miftaraj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *