Kështu do të funksionojë ‘qeveria në hije’ e PDK-së
Partia Demokratike e Kosovës javën e ardhshme do t’i bëjë publikë emrat e anëtarëve të “qeverisë në hije”.Pas dy vitesh në opozitë, PDK vendosi për rikthimin e kabinetit të qeverisjes së mirë, që e kishte pasur edhe gjatë viteve 2004-2005, përmes së cilit dëshirojnë të tregojnë gatishmërinë për të udhëhequr sërish dhe japin një alternativë të re për qytetarët.Anëtari i kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, thotë se “qeveria në hije” do të përbëhet nga disa departamente me personalitete nga jeta akademike dhe ekspertë. “Departamentet e këtij kabineti do të jenë personalitete me rëndësi nga jeta akademike, nga fushat e ekspertizës dhe persona tjerë që kanë gatishmëri për të kontribuar në politikën e Kosovës. Kryesisht do të jenë njerëz që kanë funksione për herë të parë. Ky është edhe qëllimi ynë, ne kemi qenë të hapur, kemi folur me shumë njerëz të cilët presim të marrin drejtimin ose të jenë anëtarë të kabinetit të qeverisjes së mirë”.“Kabineti do të funksionojë në atë mënyrë që do të ketë një koordinator për secilin departament që do të mbulojë fushat e përgjegjësisë dhe brenda saj do të ketë numër të ekspertëve, varësisht prej llojit që ka departamenti ose segmenti që prek. Do të jetë një pasqyrë për të parë dallimin mes nesh dhe qeverisë, që ne t’i bindim qytetarët e Kosovës se PDK-ja është e gatshme të qeverisë këtë vend, duke propozuar ide dhe projekte. Por edhe kuadro që janë më profesionistë se këta që po i shohim se iu mungon ekspertiza në qeveri dhe e kanë shumë vështirë qeverisjen, e kanë paaftësi qeverisjen dhe i përcjellin shumë gafe dhe janë të pazotë në kryerjen e punëve të tyre”, tha ai për KosovaPress.Gjoshi shton se personat që do të drejtojnë departamentet e “qeverisë në hije” dhe anëtarët e saj do të plotësohen në vazhdimësi.“Ne e kemi detyrim me statut të partisë që Këshilli Drejtues të miratojë një rregullore që rregullon mënyrën e funksionimit të këtij kabineti, mënyrën e emërimit të anëtarëve, organizmit të përgjegjësive dhe fushave të këtij kabineti. Presim që javën e ardhshme, kryetari fillimisht të prezantojë departamentet e para, kryesisë që duhet të miratohen, mandej personat të cilat do t’i drejtojnë ato departamente dhe anëtarët që gjatë rrugës mund të plotësohen me ekspertë të tjerë”.Sekretari organizativ i PDK-së folir edhe për punën e Qeverisë Kurti të cilën e quan të paaftë dhe skandaloze. “Kjo qeveri është e paaftë, është përcjell me shumë skandale. E pamë që kryeministri i Kosovës lëshoi një komunikatë e cila ishte në mospërputhje dhe të pavërteta të cilën ia demantojë Qeveria e Norvegjisë, para disa ditësh ishte me zëvendëskryeministrin Bislimi, ku u përgënjeshtrua edhe nga Këshilli i Evropës. Pra kemi një joseriozitet të thellë të tyre, sot Kosova është më e izoluar në aspektin ndërkombëtar se asnjëherë tjetër. Ka marrëdhënie me fqinjët, përshirë me Shqipërinë të acaruara dhe në jetën e përditshme qytetarët po përballen me më shumë vështirësi. Kemi çmime të larta të naftës, çmime të larta të produkteve ushqimore dhe nuk kemi rritje të pagave për punëtorët apo një përkujdesje të qeverisë për ata”.Kritik shprehet edhe për raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë, veçmas pas refuzimit të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.“Ka qenë e panevojshme që Qeveria e Kosovës për një muaj të negociojë për modalitetet se si të mbajë zgjedhjet. Në fund papritmas sipas të gjitha gjasave përkundër negocimit ka dal me një vendim për kalkulim të votave që ka qenë refuzues. Unë mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më bindëse karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe mos të vjen deri te ftohja e marrëdhënieve. Të kaluarën kemi pas raste të tjera, nëse i kemi argumentet e duhura mund të bisedojmë. Ka qenë disa kritere që Kosova i ka toleruar në 2013 për të inkuadruar serbët e Kosovës në institucione, por kanë qenë vetëm për një palë zgjedhje dhe pjesë e marrëveshjes. Qeveria e Kosovës ka mundur të jetë shumë më serioze, qysh në kohën e referendumit, por edhe atëherë mbështetjen që e ka ofruar opozita ka tentuar të përdorë më shumë për ‘show’ të brendshëm sesa për forcim të Kosovës dhe bashkërendim”.Gjoshi thotë se Qeveria Kurti po fsheh edhe pagesat në importin e energjisë, ku paralajmëroi se përmes sigurimit të 40 nënshkrimeve do të formojnë komisionin hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike.