Këta janë emrat e grupit punues për Vetingun, do ta hartojnë koncept-dokumentin për këtë proces
Javën që shkoi, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi se ka nënshkruar formalizimin e grupit punues për procesin e Vetinug në sistemin e drejtësisë. Në postimin e saj në Facebook, Haxhiu vlerësoi se formimi i këtij grupi është i rëndësishëm për shtetin e së drejtës. Ministrja Haxhiu tha se në grup do të marrin pjesë përfaqësues të drejtësisë e të institucioneve të tjera.“Në këtë Grup Punues, përveç përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë, do të jenë edhe përfaqësues nga institucionet e drejtësisë dhe institucioneve të tjera, shoqëria civile dhe gjithashtu ekspertë të tjerë të cilët do të kontribuojnë në këtë proces të rëndësishëm për vendin qytetarët”, shkroi Haxhiu në Facebook.Në një përgjigje për Gazeten Online ‘Reporteri.net’, Ministrja e Drejtësisë ka treguar edhe përbërjen e grupit punues që do të hartojë koncept-dokumentin për procesin e Vetingut në sistemin e drejtësisë.Pos këtyre emrave pritet të shtohen edhe të tjerë.“Për hartimin e këtij koncept-dokumenti, do të jenë: Lulzim Beqiri – Kryesues dhe Feride Podvorica si zv/Kryesuese – Ministria e Drejtësisë (MD), Qërim Ademaj – Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Bahri Hyseni – Këshilli Porkurorial i Kosovës, Besim Kelmendi – Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, Merita Stublla – Emini – Oda e Avokatëve të Kosovës, Alberita Hyseni – Zyra e Kryeministrit, Genc Nimoni – Kabineti i Ministres së Drejtësisë, Noliana Kusari dhe Eris Hana nga Departamenti Ligjor MD, pastaj nga një anëtarë përfaqësues nga institucionet: Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Agjencia Kundër Korrupsionit, pastaj përfaqësues të Shoqërisë Civile si: Kreshnik Gashi – BIRN, Florent Spahija – KDI, Nora Bajrami – FOL, Arton Demhasaj – ÇOHU!, Rreze Hoxha GLPS dhe Gzim Shala IKD”, thuhet në përgjigjen e Kabinetit të Haxhiut për Reporteri.net.Në përgjigje theksohet se në grup punues do të ketë edhe përfaqësues të tjerë nga fusha akademike dhe e drejtësisë pasiqë vendimi për formalizimin e grupit punues lë hapësirë për një gjë të tillë.“Në vendim janë formalizuar edhe emrat e përfaqësuesve të institucioneve dhe shoqërisë civile, mirëpo vendimi lejon hapësirën për pjesëmarrje edhe të ekspertëve të tjerë të cilët mund të japin kontribut në këtë proces”, thuhet në përgjigjen e MD për Reporteri.net. Sot gjatë ditës, Ministrja Haxhiu ka folur rreth Vetingut duke thënë se mund të ketë ndryshime kushtetuese për ta realizuar këtë proces të rëndësishem të sistemit të drejtësisë