Këta janë personat që do të vaksinohen në fazën e parë në Kosovë
Ministria e Shëndetësisë ka paraparë vaksinimin e qytetarëve të Kosovës kundër COVID-19 në tri faza. Vaksina e parë që pritet të arrijë sonte pas orës 20:00 në Kosovë është ajo e “AstraZenecas” nga skema COVAX.Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar në shkurt Planin e ri shtetëror për vaksinim kundër COVID-19 në Kosovë.Sipas këtij plani të miratuar më 18 shkurt të këtij viti dhe i cili nuk ka ndryshuar, në fazën e parë pritet që të vaksinohet 3 për qind e popullatës për të vazhduar me fazën e dytë për 17 për qind e në atë të tretën 50 për qind.“Sipas planit të pasqyruar në këtë dokument (Plani Shtetëror i Vaksinimit), futja në përdorim e vaksinës kundër COVID-19 do të bëhet gjate tri fazave. Në fazën e parë të futjes në përdorim të vaksinës, 3 % e popullsisë (apo 54,000 punëtorë shëndetësorë dhe të moshuar) do të vaksinohen. Në fazën e dytë – pjesa tjetër e popullsisë prej 17 % (306,000 qytetarë) do të vaksinohen”, shkruhet në plan.Tutje aty thuhet se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet barazisë në shpërndarje të tyre. Kësisoj, rreth 11 mijë doza vaksinash do t’u dedikohen 5400 punonjësve shëndetësorë dhe të moshuarve (nga 10 për qind e popullsisë që vaksinohet në fazën e parë) në dhjetë komuna me shumicë serbe. “Strategjia e shpërndarjes së vaksinave në këto komuna është e njëjtë me komunat e tjera”, shkruhet më tutje.Sipas këtij dokumenti 70 faqesh gjatë fazës së parë dhe të dytë do të përdoren vaksinat që do të vijnë nga skema COVAX e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e në fazën e tretë planifikohen ato të kompanisë “Pfizer”.Në raportin e aprovuar nga MSH-ja janë paraqitur edhe kategoritë që pritet të vaksinohen kundër COVID-19, ku në të parën janë personeli mjekësor, banorët e shtëpive të të moshuarve, personat me sëmundje kronike dhe ata mbi 80 vjeç.E në fazën e dytë prioritet u është dhënë mësimdhënësve e pjesëtarëve të forcave të sigurisë të përfshirë në menaxhimin e pandemisë. Pra, sipas këtij plani synohet vaksinimi i 70 për qind e popullsisë, apo 1 milion e 260 mijë persona.Zyra e kryeministrit të Kosovës ka bërë të ditur se sot në ora 20:15 kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të marrin pjesë në ceremoninë e pranimit të kontingjentit të parë të vaksinave kundër COVID-19.Ky kontingjent është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX.Ceremonia e pranimit të vaksinave mbahet në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, (para terminalit VIP), me fillim nga ora 20:15.KOHA kishte mësuar se bëhet fjalë për rreth 24.000 doza të vaksinës së “AstraZenecas”, që vijnë përmes programit “COVAX”.