Këtë javë Qeveria përballet edhe me një protestë, Punëtorët e KEK-ut kërkojnë tërheqjen e mjeteve nga Trusti
Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës, pritet që më 16 qershor të protestojnë para Qeverisë së Kosovës. Shkak i kësaj proteste, është kërkesa për votimin e Projektligjit të Trustit Pensional, raporton Ekonomia Online.Krahas punëtorëve të KEK-ut, pjesëmarrës është paralajmëruar se do të jenë edhe Sindikatat tjera. Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka thënë për Ekonomia Online se në këtë protestë do të jenë pjesëmarrës më shumë se 1 mijë punëtorë, duke mos i përfshirë edhe sindikatat tjera. “E kemi caktuar datën, do të mbahet me 16.06.2022, prej orës 12:00 duke filluar nga Sheshi “Zahir Pajaziti”, drejt Parlamentit të Kosovës ditën që mendojmë se do të mbahet seanca e Parlamentit të Kosovës, ku do të vendoset për Trustin pensional. Gjithë punëtorët që punojnë me ndërrimin e parë, që nuk janë të lidhur drejt për drejtë me prodhimin, ata do të jenë pjesë e protestës që mund të jenë diku rreth 1000 veta. Ka edhe shoqëri civile, ka edhe sindikata të ndryshme siç ka shprehur gatishmërinë e përkrahjes apo mbështetjes simbolike, Sindikata e Policisë, Sindikata e Shëruesve Civil të cilit e kanë shprehur gatishmërinë, dhe ne jemi organizator që do të bëjmë protestën për arsye se kemi presion prej punëtorëve”, tha Llumnica.Ai ka ftuar edhe Sindikatat tjera t’i bashkëngjiten kësaj proteste, duke thënë se kjo është e imponuar për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. “Ne i thërrasim të gjitha sindikatat dhe të gjithë punëtorët që kanë interes për tërheqjen e këtyre mjeteve t’i bashkohen kësaj proteste. Pra ne dëshirojmë një pjesë të Trustit për arsye se gjendja e punëtorëve është jo e mirë duke e marr parasysh që gjendjen e tyre sot dhe kërkesën e madhe të punëtorëve, jemi imponuar që të vendosim për protesta”, tha ai.