KGJK angazhon 30 gjyqtarë për ditën e zgjedhjeve
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka angazhuar 30 gjyqtarë kujdestarë në nivel të vendit në ditën e sotme për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë.
“Në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë caktuar 8 gjyqtarë, 1 vjen nga departamenti special, 2 nga departamenti i krimeve të rënda dhe 5 të tjerë në departamentin e përgjithshëm. Në Gjykatën Themelore të Gjilanit janë caktuar 4 gjyqtarë, 1 në departamentin e krimeve të rënda dhe 3 në departamentin e përgjithshëm. Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe ajo në veri 1 gjyqtarë në departamentin e përgjithshëm. Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar 4 gjyqtarë, 1 në departamentin e krimeve të rënda dhe 3 në departamentin e përgjithshëm. Edhe Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar 5 gjyqtarë, 1 në departamentin e krimeve të rënda dhe 4 në departamentin e përgjithshëm. Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar 2 gjyqtarë, 1 në departamentin e krimeve të rënda dhe 1 në departamentin e përgjithshëm, si dhe Gjykata Themelore në Prizren 4 gjyqtarë, 1 në departamentin e krimeve të rënda dhe 3 në departamentin e përgjithshëm”, ka thënë Fatime Dërmaku nga KGJK-ja ditë më parë në konferencë për media.
Ndërkohë nga Prokuroria e Shtetit më herët është njoftuar se për ditën e zgjedhjeve do të jenë të angazhuar 88 prokurorë e 40 zyrtarë nga sistemi prokurorial.
“Prokurori i Shtetit njofton opinionin se është duke përcjellë me vëmendje procesin zgjedhor i cili është duke u mbajtur sot për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, ju njoftojmë se që nga ora shtatë e mëngjesit e ditës së sotme, janë të angazhuar 88 prokurorë dhe staf mbështetës, të cilët janë duke përcjellë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit. Prokurori i Shtetit, me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë te Policia dhe Prokuroria të gjitha pretendimet për keqpërdorim të votës”, thuhet nga Prokurori i Shtetit.