KGJK ka dy ditë kohë për verifikimin e kandidatëve për deputetë
Brenda dy ditëve Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të verifikojë të gjitha listat e kandidatëve për deputetë që KQZ-ja do t’ia dërgojë për të verifikuar të kaluarën e atyre që garojnë për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë se janë tri kërkesa që do t’i dërgohen KGJK-së.“Është vetëm një kërkesë në bazë të së cilës duhet të bëjmë se a janë të dënuar me në tri vitet me një vendim të formës së prerë, a kanë ndonjë ndalesë që të kandidojnë dhe mos rastësisht ndonjë prej kandidatëve është gjyqtarë. Në kuadër të kompetencave do të bëjnë këtë verifikimin dhe do të na njoftojnë me rezultatet. Ne do ti dërgojmë siç i pranojmë nuk do të presim që të gjithë të aplikojnë”, ka thënë Valdete Daka.E institucioni i cili do të kryejë verifikimin e kandidatëve thotë se përmes databazës elektronike të ndërtuar rishtazi listat do të mund të verifikohen për një kohë shumë të shpejtë.“Bazuar në ligj, KGjK-ja është përgjegjëse për menaxhimin e databazës për evidencën penale ku janë të regjistruar të gjithë personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë. Edhe në këtë rast për verifikimin e listave që do të pranohen nga KQZ-ja, sikurse edhe për institucionet e tjera apo personat fizikë, KGjK-ja vetëm mund të ofrojë informacione se personi i caktuar ka apo nuk ka të regjistruar ndonjë dënim me aktgjykim të formës së prerë. Ende nuk e kemi pranuar kërkesën nga KQZ-ja. Por, fatmirësisht, falë sistemit elektronik (databazës) të ndërtuar rishtazi, listat mund të verifikohen për një kohë shumë të shkurtër dhe të shpejtë. Dy (2) ditë janë të mjaftueshme për verifikimin e të gjithë kandidatëve të mundshëm. Në databazën e evidencës penale regjistrohen të gjithë personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë, pavarësisht llojit dhe lartësisë së dënimit”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.Përveç në zgjedhjet e fundit që KQZ-ja bazuar në një vendim të Gjykatës Supreme nuk kishte kryer verifikimin, në të gjitha rastet e tjera, sipas Florent Spahiut nga KDI-ja, ishte bërë verifikimi i atyre që garonin në zgjedhje.
“Është procedurë ligjore dhe KQZ e ka këtë obligim pasi zyra për certifikim i pranon listat dhe në bashkëpunim me KGJK shohin nëse dikush ka kryer vepër penale ose ka vendim të formës së prerë. Janë afatet shumë të shpjeta KGJK besoj i di këto tri vitet e fundit për KGJK kjo është e zakonshme rutine kjo. Çka i kish ndihmuar nëse kish funksioni sistemi SMIL ku do të verifikojë me numër personal e kaluara e tyre dhe më shpejt”, ka deklaruar Florent Spahija nga KDI-ja.
Me gjithë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte thënë se në zgjedhje nuk mund të garojnë ata kandidatë të cilët kanë dënime gjatë 3 vjetëve të fundit, të formës së prerë, Lëvizja Vetëvendosje së fundi ka vendosur t’i fusë në listë për deputetë kandidatin për kryeministër Albin Kurti dhe Albulena Haxhiun, të cilët ishin dënuar me kusht.
Ndryshe është neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, që përcakton kriteret të cilat duhet t’i përmbushin ata kandidatë, të cilët synojnë të garojnë për ulëse në Kuvend.
Në mesin e kritereve është edhe kushti që kandidati të mos ketë dënim të formës së prerë në tre vjetët e fundit.
.