Kjo qeveri e shpresës së të varfërve sikur po tallet me të varfëritë: Shkruan;Prof ;Arif Kabashi

Qendrapress pyet-Na jepni  opinionin Tuaj  për gjendjen sociale të Kosovës. Dhe si e vlerësoni sigurinë e përgjithshme dhe emocionale te qytetarëve?

 Prof . Arif Kabashi -Humbja e një shprese është më e rëndë se humbja e një të vërtete Gjendja sociale në Kosovë sa vjen po bëhet më e rëndë. Si rezultat i ngritjes së çmimeve më shumë se gjysma e popullsisë po rrëshqet në varfëri. Neve nuk duhen të na mashtrojnë pamjet e kafeneve dhe shoping qendrave, sepse ajo është vetëm një e treta e popullsisë. Që ta kuptojmë gjendjen sociale të shumicës së popullsisë duhet kaluar pranë spitaleve dhe klinikave private ku të sëmurët më shumë varfërohen e shumë pak shërohen. Duhet kaluar pranë farmacive dhe të sheh se si çdo i dyti pacient i kërkon farmacistit tja hjek një apo dy barna nga terapia për ta përballuar pagesën. Duhet kaluar pranë ambasadave të huaja kur sheh në dëshpërim turmat e të rinjve për tu larguar nga vendi. Ndihma e qeverisë me nga 100 euro i ngjanë traditës shqiptare kur babëloku që vinte nga pazari blinte bombone për fëmijët, ndërsa që ata ishin pa këpuca, pa veshmbathje, pa ushqim të mjaftueshëm. Kjo qeveri e shpresës së të varfërve sikur po tallet me të varfëritë. Deputetja me trenerka në kuvend, kryeministri dy javë nëpër ahengje familjare në Amerikë, ndërsa për zonjën e parë të vendit intervenimet kirurgjike për pamjen fizike janë më shqetësuese se sa gjendja sociale e popullit të vet. Në një situate të tillë humbja e një shprese është më e rëndë se humbja e një të vërtete./qendrapress.com/