Klinaku për zgjerimin e aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së: Prokurorit Smith i intereson të zgjasë procesi edhe 20 vite
Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se zgjerimi i aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ka të bëjë me zgjatjen e mandatit të Gjykatës Speciale.“Prokurorit Smith i intereson të zgjasë procesi edhe 20 vite pasi ka pagë ta majme. Ai nuk punon për asgjë tjetër pos për miliona ashtu si gjithë prokurorët e gjykatësit, por edhe avokatët. Natyrisht se me zgjerimin e aktakuzave zgjatet edhe procesi gjyqësor”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.Klinaku thotë se Specialja nuk është treguar serioze kur përmend në aktakuzë frazën se “këta persona kanë mundur të jenë në dijeni”.“S’mund të flitet kështu për një ngjarje që ka kaluar. Ose kanë mundur të jenë në dijeni ose jo”, ka thënë Klinaku.I pari i veteranëve të UÇK-së thotë se në aktakuzën e re përmenden civil serb të vrarë, mirëpo sipas tij në zonat ku përmenden nuk ka pasur civil serb të vrarë por vetëm ushtarë, paramilitarë e policë serb që ishin të armatosur.Zyra e Prokurorit të Specializuar të premten e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.Në aktakuzën e re, prokurori Jack Smith ka përfshirë disa krime të pretenduara në Suharekë dhe Gjilan, për të cilat akuzohen ish-krerët politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Aktakuza e re është më pak konfidenciale dhe ka më pak pjesë të redaktuara.Sikurse në aktakuzën e dorëzuar më parë, edhe në aktakuzën e re, të ndryshuar, Prokuroria i akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor e arrestime të paligjshme. Prokuroria rendit akuza për krime që pretendohet të jenë kryer në disa shtëpi nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.Në ditën kur u njoftua se Gjykata Speciale ka bërë të ditur se Zyra e Prokurorit Special ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkëbisedoi me të gjithë avokatët dhe bashkë-avokatët e ekipeve mbrojtëse të shqiptarëve të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë.Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit që është mbajtur online dhe ka zgjatur gati dy orë, janë diskutuar kërkesat e ekipeve mbrojtëse për Qeverinë e Republikës së Kosovës.