KMDLNj-PER ARRESTIME NË BAZË TË RECIPROCITETIT

Ministri për Punë të Brendshme i Serbisë Ivica Daçiq e bëri të ditur për opinion lajmin se autoritetet serbe në pikëkalimin në Horgosh arrestoi dy shtetas të Kosovës , shqiptarë nën dyshim se kanë kryer vepra të krimeve të luftës ndaj serbëve lokalë në Rahovec gjatë luftës së fundit në Kosovë. Deri më tani nuk dihet identiteti i të arrestuarve . Është bërë thuaja si rregull që pas arrestimeve të serbëve në Kosovë , të dyshuar për krime lufte thuaja kemi reagim refleksiv të autoriteteve serbe që arrestojnë shqiptarë. Kjo bëhet sidomos në kohën e pushimeve verore kur shumë bashkatdhetarë udhëtojnë nëpër Serbi , si rrugë më e shkurtër për Kosovë. Mungesa e bashkëpunimit dhe këmbimi i informatave midis Serbisë dhe Kosovës krijon hapësirë që arrestimet të bëhen në mënyrë arbitrare duke u keqpërdorur për qëllime propagandistike dhe përfitime politike. KMDLNj shumë herë përmes reagimeve ka kërkuar që të shmangen udhëtimet nëpër Serbi sidomos për ata që në një mënyrë apo tjetër janë pjesë e luftës së fundit. Tash , Serbia është në gjendje ta arrestojë çdo shqiptar që është në territorin e Serbisë edhe në rast se nuk ka asnjë lidhje me luftën e fundit. Institucionet e Kosovës përkatësisht Ministria për Punë të Jashtme të vetmin veprim që e bënë është të qajë dhe vajtojë para zyrave të EULEX – it dhe ambasadave të huaja. KMDLNj – ë kërkon që me ndërmjetësim ndërkombëtar të formohet një grup që do të merrej me këtë çështje , deri në një përfundim të rastit. KMDLNj – ë me përgjegjësi të plotë profesionale , morale dhe ligjore deklaron se të arrestuarit serbë , qoftë nga Serbia apo edhe shtetas të Kosovës trajtohen në përputhje të plotë me të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria që parashihen me ligjet e Kosovës , dokumenteve ndërkombëtare dhe Rregullave Evropiane të Burgjeve . Ata mund të vizitohen dhe vizitohen nga OJQ – të si dhe nga Avokati i Popullit i Kosovës gjë që nuk mund të bëhet kur janë në pyetje të arrestuarit shqiptarë në Serbi. KMDLNj- ë kërkon që politika të mos bëhet përcaktuese për përgjegjësinë juridike siç po ndodhë tani. 14 gusht 2025 Prishtinë Shërbimi për Informim-. KMDLNj/QendraPress/